Kryesore Basha: As një sistem nuk garanton zgjedhje të lira po nuk ndamë...

Basha: As një sistem nuk garanton zgjedhje të lira po nuk ndamë krimin nga politika

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët pasditen e sotme ku iu rikthye edhe njëherë çështjes së negociatave për Shqipërinë.

Sipas tij, Shqipëria ka ende shanse për hapjen e negociatave, por për këtë duhen plotësuar kushtet e përcaktuara nga Bundestagu. Një prej tyre sipas tij është dhe reforma zgjedhore.

Basha tha se tashmë propozimet e PD për këtë reformë janë të ditura dhe shtoi se po nuk u nda politika nga krimi dhe po nuk u dënua krimi elektoral nuk ka rëndësi çfarë sistemi zgjidhet.

“Ky kryeministër po na mban jashtë Evropës. Po humbim para çdo ditë nga Europa. Drejtuesit më të lartë të Komisionit Europian shprehën vullnetin për të hapur negociatat dhe ne nuk duhet ta humbim këtë shans të madh, këtë mundësi për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë dhe çdo sektori.

Ky është një vit i rëndësishëm pasi dy vend mike marrin Presidencën, Kroacia dhe Gjermania, ndaj dhe duhet të miratojmë reformën zgjedhore që i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Ne kemi paraqitur propozimet tona prej shtatorit. Ne i prijmë këtij procesi dhe jemi në pritje të qëndrimit të PS dhe Ramës. Kjo pritje nuk mund të vazhdojë, do marrim çdo vendim dhe veprim që të mos e lemë vendin pa reformë zgjedhore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky duhet të jetë një proces i hapur, propozimet tona janë të qarta. As një qëndrim nuk ka ndryshuar. Ai që vendos është vullneti politik. As një sistem nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme po nuk e ndamë krimin nga politika dhe po nuk ndëshkuam krimin elektoral”, u shpreh Basha.