Politika Basha pas votimit: Urgjencë e çdo shqiptari ndryshimi real i qeverisjes

Basha pas votimit: Urgjencë e çdo shqiptari ndryshimi real i qeverisjes

“Demokratët shqiptarë janë të vetëdijshëm për pritshmëritë dhe urgjencën e çdo shqiptari për të sjellë ndryshim real në modelin e përfaqësimit dhe qeverisjes nesër”. Kështu u shpreh kryedemokrati Basha pas votimit në degën 8 të PD-së në Tiranë për kandidatë në zgjedhjet e 25 prillit.

Basha tha se procesi që po përfundon është një nga shtyllat e programit të PD-së,në mënyrë që zëri dhe votat të kenë dhe qeveria të mos jetë peng i një grushti njerëzish.

“Kjo është një garë brenda PD-së beteja e vërtetë na pret dhe demokratët shqiptarë janë të vetëdijshëm për pritshmëritë dhe urgjencën e çdo shqiptari për të sjellë ndryshim real në modelin e përfaqësimit dhe qeverisjes nesër.

Procesi që kemi nisur dhe po përfundojmë do të jetë një nga shtyllat e programit tonë në mënyrë që zëri dhe votat të kenë peshën dhe qeveria mos të jetë peng dhe t’i shërbejë interesave të një grushti njerëzish. Një qeveri që e ka frikën e shqiptarëve dhe votën e socialistëve. Të jetë një qeveri që të përfitojnë vetë shqiptarët”.

Duke iu përgjigjur ironisë së kryeministrit Rama në lidhje me përzgjedhjen e kandidatëve demokratë për zgjedhjet, Basha theksoi se kryeministri nuk vlerëson asnjë proces demokratik dhe në PS nuk zhvillohet asnjë garë.

“Mos prisni që Rama të vlerësojë një proces demokratik ai nuk organizon garë në PS, i ka harruar zgjedhjet. Mos më kërkoni që të krahasoj të pakrahasueshmen. Kjo është një ditë me diell për atë që po vjen dhe për një model qeverisje”.

Sa i takon skualifikimit të Klevis Balliut nga gara, Basha u shpreh se ky është një proces në të cilin vendos anëtarësia dhe nuk ka të humbur.