Kosova Borrell: Kam thirrur në takim urgjent Kurtin dhe Vuçiçin

Borrell: Kam thirrur në takim urgjent Kurtin dhe Vuçiçin

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë në një takim urgjent në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale.

“Kam ftuar liderin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe atë të Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel për takime urgjente për të gjetur një mënyrë për të dalë nga kriza aktuale. Na duhet çtensionim i menjëhershëm i situatës dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Këto janë parësore për rajonin dhe BE-në”, shkroi ai në Twitter.

Një ditë më parë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti konfirmoi pjesëmarrjen e tij në takimin e thirrur nga Borrell.

Ai tha se në atë takim do të insistojë “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës që po mbahen peng nga Serbia, çtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.

Burimet diplomatike të Radios Evropa e Lirë kanë thënë se takimi mund të zhvillohet më 22 ose 23 Qershor, ndërkaq kanë përmendur edhe mundësinë që Kurti dhe Vuçiç të mos kenë takim direkt por vetëm takime bilaterale me Borrellin. /REL