Aktualitet Sherr mes shoferëve në doganën e Kapshticës, plagoset me thikë njëri prej...

Sherr mes shoferëve në doganën e Kapshticës, plagoset me thikë njëri prej tyre

Dy shoferë kamionësh janë përfshirë në konflikt me njëri tjetrin në doganën e Kapshticës. Siç thotë policia, njëri prej tyre ka goditur me thikë shoferin tjetër. Teksa i plagosuri ndodhet në spitalin e Korçës ku po merr mjekimin, autori i dyshuar i ngjarjes është shoqëruar në komisariat.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika e përdorur. Paraprakisht dyshohet se shkak i konfliktit që përfundoi në plagosje me thikë ishte radha për të kryer procedurën e skanerit.

“Plagosi me mjet prerës (thikë) një shtetas, gjatë një konflikti të çastit, shoqërohet në Polici, autori i dyshuar i ngjarjes. Sot rreth orës 15:15, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, gjatë një konflikti të çastit shtetasi A. A., 51 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin J. T., 35 vjeç, banues në Tiranë, i cili u dërgua për mjekim në spitalin e Korçës. Nga të dhënat paraprake, rezulton se shtetasit janë konfliktuar për radhën e procesit të skanimit, të mjeteve që drejtonin“, njofton Policia.