Aktualitet Çfarë dihet deri tani për vrasjen e Gentjan Bejtjas

Çfarë dihet deri tani për vrasjen e Gentjan Bejtjas

Pak orë pas ekzekutimit me armë zjarri të Gentjan Bejtjas, policia mësohet se ka shoqëruar Valter Bamin.

Valter Bami ndodhej në arrest shtëpie, që prej 18 janar të këtij viti, kur u la i lirë nga gjykata për mungesë provash. Bami qëndroi në burg për 6 muaj, pasi u arrestua si i dyshuar në atentatin e 4 korrikut 2023, po ndaj Gentjan Bejtjas.

Ish-mik me këtë të fundit, pavarësisht dyshimeve të hetuesve, ndaj Bamit u ngrit vetëm akuza e armëmbajtjes pa leje.

42-vjeçari Gentjan Bejtja u ekzekutua këtë të premte në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Larushkë të Fushë Krujës.

Të paktën 3 persona dyshohet se morën pjesë në këtë ngjarje kriminale. Pak kohë pas vrasjes autoritetet policore gjetën të djegur një makinë, brenda së cilës u zbuluan 4 kallashnikovë, që dyshohet se u përkisnin autorëve.

Dyshimet e para janë se Bejtja i ka pikasur autorët dhe ka tentuar të largohet, pasi në oborrin e shtëpisë së tij janë gjetur shenja gjaku deri në pjesën e pasme.

Gentjan Bejtja i kishte shpëtuar 3 atentateve në të shkuarën. Më i rëndi ishte ai i 4 Korrikut të vitit 2023. Atentati iu bë po në banesë dhe nga të shtënat mbeti i vrarë kunati i Bejtjas dhe u plagosën dy djemtë e tij të mitur.

Pikërisht për këtë ngjarje Bejtja kërkohej edhe nga policia, që deri më sot nuk kishte mundur të binte në gjurmët e tij.

Paraprakisht larja e hesapeve duket se është pista kryesore e hetuesve për vrasjen e Gentjan Bejtjas.