Aktualitet Cilat janë degët më tërheqëse për studentët shqiptarë dhe ato për të...

Cilat janë degët më tërheqëse për studentët shqiptarë dhe ato për të cilat nuk kanë interes

Degët e ekonomisë dhe ato të drejtësisë vijojnë të tërheqin shumicën e studentëve shqiptarë – pavarësisht “mbingopjes” me këto profesione – megjithatë vihet re një rritje e interesit për degë që lidhen me shëndetin dhe mjedisin.

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë rritje të interesit për të studiuar në degët që menaxhojnë shëndetin si mjekësia dhe infermieria si edhe në degët e inxhinierisë përgjatë vitit akademik aktual 2021-2022.

Sipas fushave të studimit, “Biznes, administrimi dhe ligji” patën në degët e tyre një rritje vjetore 3.4% dhe 6.6% në krahasim me katër vite më parë. Rritjen më të madhe të numrit të studenteve i pati fusha e studimit “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me rreth 22 mijë studentë, një rritje 10% në raport me një vit më parë dhe 20% me katër vite më parë.

Fusha e dytë më rritjen më të lartë vjetore ishte “Shëndet dhe Mirëqenie” me 4,4% në këtë vit akademik dhe 11.6% në krahasim me katër vite më parë. Degët e mjekësisë dhe infermierisë po tërheqin një numër të madh studentësh nisur nga perspektivat më të mira të punësimit jashtë vendit. Shtojmë gjithashtu si pandemia – që vuri theksin te shëndeti – si edhe kriza e klimës mund të ketë ndikuar te përzgjedhja e degëve që kanë lidhje me shëndetin dhe mjedisin.

Nga ana tjetër, Monitor raporton se po shihet një rënie e fortë në fushat e arsimit, bujqësisë dhe shkencave të natyrës. INSTAT zbuloi se në ketë vit numri i studentëve pësoi rënien më të madhe 19% për “Bujqësinë, pyjet, peshkimin dhe veterinarinë”. Pas bujqësisë, rënia më e madhe vjetore ishte për degët e shkencave sociale dhe gazetarisë me 10.4%, ndërsa në raport me katër vite më parë, rënia ishte 24%, raporton Monitor.