Bota Clarissa Ward, kush është gazetarja e CNN e sulmuar nga talebanët

Clarissa Ward, kush është gazetarja e CNN e sulmuar nga talebanët

Me ftohtësi përballoi luftëtarët afganë që nuk po e linin të raportonte dhe më pas iu përgjigj ashpër atyre në Perëndim që e akuzuan se po vishej siç impononte regjimi i ri.

Është një nga gazetaret më të famshme në botë dhe një nga më kurajozet. Anglezja Clarissa Ward, e dërguar nga CNN në Kabul, është kthyer edhe njëherë në qendër të vëmendjes për gjakftohtësinë e saj.

Në një video të publikuar të premten, ajo shikohet duke negociuar me luftëtarët talebanë jashtë aeroportit. Qëllimi i burrave është luftarak: i vrapojnë përballë, i kërkojnë të fikë telekamerën, njëri qëllon operatorin me krahun e pushkës, një tjetër e urdhëron të mbulojë fytyrën, pavarësisht që kishte në kokë një vel të rëndë të zi. Por ajo nuk e humb qetësinë. “Është e rrezikshme, shumë e rrezikshme”, komenton Ward në shërbim, situata “është komplet e paparashikueshme. Për mua është një mrekulli që shumë persona nuk kanë mbetur të plagosur rëndë”.

E lindur në Londër në 1980 nga një baba amerikan dhe nënë angleze, Ward ka bashkëpunuar me rrjetet kryesore televizive amerikane. Përpara CNN ishte në CBS, ka punuar si korrespondente nga Moska për Abc dhe më përpara për Fox News. Gjatë karrierës së saj ka mbuluar konfliktin izraelito-palestinez, luftën civile siriane, revolucionin ukrainas.

Por tani edhe asaj i është dashur t’iu përulet ngjarjeve dhe ka lënë Afganistanin. Me një foto të postuar në Twitter ka shpjeguar se po kthehet në shtëpi përmes rrugëve ajrore të organizuara nga Shtetet e Bashkuara, për të cilat foli edhe Presidenti Joe Biden. “Sapo kam zbritur në Doha me skuadrën dhe pothuajse 300 afganë të evakuuar. Falënderime pa fund të gjithëve ju për mbështetjen dhe shqetësimin dhe Us Air Force që na mundësuat fluturimin në Katar dhe që na pritët. Ne jemi me fat”, deklaroi në postim.

Clarissa Ward

Përpara se të largohej, megjithatë iu desh që të përballej me kritikat pse veshi rrobat që iu imponohen grave në Afganistan. Kjo është përgjigjja: “Puna ime është të dal nëpër rrugë dhe të dëgjoj se çfarë mendojnë njerëzit dhe të shoh se çfarë po ndodh. Prandaj duhet të jem e gatshme të vesh gjithçka që është e nevojshme, ndershmërisht, për të qenë e gatshme për të dalë dhe për të bërë punën time dhe për të respektuar traditën dhe kulturën e vendit nga po shkruaj”.