Politika Denoncimi i fortë i Berishës: Në përgjimet e “Sky” edhe biseda të...

Denoncimi i fortë i Berishës: Në përgjimet e “Sky” edhe biseda të gjyqtarëve

Sali Berisha ka hedhur akuza të rënda duke thënë se gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, por edhe Gjykatës kushtetuese janë kapur në përgjime se kanë lidhje me botën e krimit. Në një intervistë në “Debat” në A2 CNN me Alba Alishanin, Berisha tha se në përgjimet e “Sky”, janë gjetur edhe biseda të gjyqtarëve të dy prej gjykatave më të rëndësishme në vend, me anëtarë të bandave kriminale.

Se nga i vjen ky informacion dhe se për cilët gjykatës bëhet fjalë, Berisha zgjodhi që të mos japë emra, por tha se janë informacione 100% të vërteta.

“Informoj shqiptarët se telefonat Sky ECC, janë gjetur dhe janë përdorur me banda edhe nga gjykatësit më të lartë. Kjo është përgjigja e pyetjes, që shtron Andoni si ka mundësi drejtësia e re. Me ligj, Sadushët janë të detyruar brenda 30 ditëve për çështje si kjo (vula e PD) dhe ai mban vendimin, e mban në sirtar aq sa i thotë Rama, i cili vetë mban në sirtar vettingun e tij”, tha Berisha.

Të njëjtin informacion e disponon edhe analisti Lorenc Vangjeli, duke paralajmëruar se në ditët në vijim do të ketë të dhëna tronditëse.

“Shumë shpejt do të ketë dhëna tronditëse që anëtarë të Gjykatës së Lartë, dhe Kushtetueses, zyrtarë të lartë, ministra, deputetë, ish deputetë, ish-ministra, gazetarë, të cilët një pjesë për mjet punë, një pjesë sepse ashtu kanë zgjedhur të bëjnë, kanë dalë në përgjimet e EncroChat. Ka të paktën 3 vjet që ky server është thyer”, tha Vangjeli në A2 CNN.