Aktualitet Detajet e megaoperacionit antidrogë/ Gazetarja: Një grua shtatzënë shiste kokainë, një 71-vjeçare...

Detajet e megaoperacionit antidrogë/ Gazetarja: Një grua shtatzënë shiste kokainë, një 71-vjeçare shpërndante heroinë

Gazetarja Klodiana Lala thotë se në Tiranë janë rreth 4000 shpërndarës të lëndëve narkotike që aktivitetin e ushtrojnë pranë shkollave, lokaleve dhe zonave të ndryshme të kryeqytetit.

Duke komentuar në emisionin ‘Opinion’ megaoperacionin e antidrogë të policisë, Lala bëri me dije edhe disa detaje të këtij aksioni.

Sipas saj, në mesin e të arrestuarve janë edhe një grua në muajt e fundit të shtatzanisë që shiste kokainë.

Po kështu një tjetër grua 71-vjeçare shpërndante heroinë, e cila u arrestua gjithashtu.

“Ditën e sotme është ekzekutuar masa për një grua shtatzënë, e cila është në muajin e 8-9, e cila aktualisht është në masën e arrestit në shtëpi për shkak të shtatzanisë, por ishte e përfshirë në çështjet e shpërndarjes së kokainës. Është në masën e arrestit në shtëpi një grua 71-vjeçare, e cila shpërndante heroinë. Është po ashtu një i moshuar 71-vjeçar që është në masë sigurie”, tha ndër të tjera gazetarja Klodiana Lala.

Ndërsa drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj ka pranuar se në kryeqytet ekziston fenomeni i shpërndarjes së lëndëve narkotike në shkolla.

Vocaj tha se hetimet për megaoperacionin antidrogë kanë vijuar prej 6 muajsh.

“Ky hetim në Tiranë por edhe në qarqet e tjera ka rreth 6 muaj dhe ka ardhur duke u intensifikuar. Fakti që është siguruar një masë sigurimi nga gjykata do të thotë prokurori që ka kërkuar masë të tillë ka pasur dyshime të arsyeshme.

Në Tiranë ekziston si fenomen,  është i përhapur. Ne i kemi arrestuar në mëngjesin e sotëm pjesën më të madhe pas orës 07:00. Për një kategori personash që janë vlerësuar si më të rrezikshëm Policia e Tiranës ka vepruar dje pasdite për 25 prej këtyre personave që ju kemi gjetur pothuajse të gjithëve sasi të ndryshme të lëndëve narkotike, dje pasdite kemi sekuestruar rreth 400 gr kokainë dhe një sasi të madhe drogërash të tjera. Operacioni ka vazhduar sot në mëngjes. Janë kontrolluar të gjitha këto ambiente dhe banesa që ne jemi patur autorizim për kontroll. Ka sanksione shumë të rënda për këtë dhe ne shpresojmë që gjykata të vazhdojë”, tha ndër të tjera Vocaj.