Kryesore Detaje nga arrestimi në Itali i ish-kryebashkiakut të Vorës

Detaje nga arrestimi në Itali i ish-kryebashkiakut të Vorës

Detaje të reja janë zbuluar nga arrestimi në Itali i ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku dhe nipit të tij. Referuar mediave italiane ata tentuan të trafikonin një ngarkesë rreth 20 kilogramë kokainë përmes vazove të luleve të cilat mësohet se i kishin blerë në Grottamare një qytezë në krahinën e Ascolit.

Pasi kanë kryer blerjen ish-kryebashkiaku dhe nipi i tij mësohet se i kanë kërkuar biznesit të fidanishteve marrjen e vazove për të përshpejtuar procesin e zhdoganimit të tyre dhe më pas i kanë kthyer.

Ka qenë pikërisht pronari i biznesit të fidanishteve i cili ka kuptuar tentativën e trafikimit të kokainës dhe menjëherë ka lajmëruar autoritetet. Më pas Kajmaku është mbajtur nën vëzhgim derisa më 27 Maj u bë i mundur arrestimi. Lënda narkotike që u tentua të trafikohej në treg kapte vlerën e rreth 1 milion Eurove, ndërsa ende nuk dihet destinacioni final i saj.

Kjo nuk është hera e parë që Agim Kajamaku përballet me drejtësinë. Në 2019-ën ai u shkarkua nga posti i kryebashkiakut për shkak të mosdeklarimit të një dënimi në Greqi për falsifikim të parave, nën një emër tjetër.

Më pas u kërkua arrestimi i Kajmakut pasi firmosi shkarkimin e dy nënkryetarëve të Bashkisë së Vorës, kur ai vetë ishte shkarkuar nga KQZ.

Në Korrik të 2020, Kajmaku u arrestua në një spital privat në Tiranë. Gjykata ndryshoi masën e sigurisë ndaj tij nga ‘arrestit me burg’ në “detyrim paraqitje”. Në fillim të 2022, gjykata pushoi çështjen ndaj tij ndërsa prokuroria e ka ankimuar vendimin në apel.