Kryesore Edi Rama tregon nëse do ndikojë kriza e energjisë në ndërprerjen e...

Edi Rama tregon nëse do ndikojë kriza e energjisë në ndërprerjen e dritave: Nuk ka arsye që të ikin

I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili ka garantuar se pavarësisht krizës së energjisë që po përballet Shqipëria dhe e gjithë bota, nuk do ketë ndërprerje të dritave.

Arian Çani: A mendon se do e përballosh pa i ndalur dritat, pra të mos ikin dritat? Le të ngrihet çmimi i energjisë sa të dojë, por të mos ketë ikje dritash, këtë e garanton dot Ramë sot në datën 8 Tetor 2021? Kemi një dimër përpara.

Edi Rama: Nuk ka arsye të ikin dritat.

Arian Çani: Je i sigurt?

Edi Rama: Po.

Arian Çani: Dje në Himarë kanë ikur 3 orë.

Edi Rama: Nuk ka lidhje me këtë që po flasim. Ikje dritash për arsye defektesh ka pasur gjithmonë. Kufizime energjie për shkak të mungesës së energjisë domethënë pse s’ka energji do kufizohet energjia, nuk do ketë.

Arian Çani: Po ky është lajm i mirë.

Edi Rama: Unë mendoj që nuk është në pyetje kjo sepse askush nuk ka thënë që do ketë kufizime.

Rama: Parashikohet që kjo krizë do të zgjasë deri Qershorin e ardhshëm

Kryeministri Rama tha se kriza e energjisë e cila ka prekur gjithë botën do jetë agresive deri në Qershorin e vitit të ardhshëm, por nuk parashikohet që pas Qershorit, çmimet do rikthehen aty ku kanë qenë përpara se të fillonte kriza.

“E para njëherë sa i përket çmimit të energjisë, nesër unë do dal për të ndarë me gjithë opinionin publik, planin që ne kemi bërë gati sikundër e kisha paralajmëruar në mesazhin që drejtova. Kjo është emergjencë, kriza është reale, çmimet janë rritur në mënyrë eksponenciale dhe ne prekemi drejtpërdrejtë sepse ne dalim në treg.

Ne jemi të detyruar që të blejmë energji. Përtej atyre që thonë se ne kemi ujë, ne nuk varemi nga uji, varemi nga shiu. Ne nuk e kemi ende sistemin që mund të mbajmë rezerva ujore, kur ka kohë thatësire. Ndaj ne po krijojmë Skavicën për të krijuar rezervën ujore. Për shkak se bie prodhimi rritet çmimi.

Parashikimi është që kjo krizë në fazën e vet agresive do të zgjasë deri rreth Qershorit të vitit të ardhshëm. Por nuk parashikohet që pas Qershorit çmimet të rikthehen aty ku ishin përpara se të fillonte kriza. Nuk do të mbeten aq. Ajo që parashikohet është që çmimet do të relaksohen, por nuk parashikohet që do bien aty ku ishin para fillimit të krizës.

Është një situatë shumë, shumë e rëndë realisht. Për ne është katërfishuar çmimi i blerjes sot. Njësoj si të njëjtën gotë me ujë ta blesh katër herë më shtrenjtë.

Ne nuk duam që të adresojmë problemin sa për të hedhur këtë lumë. Ne mund ta zgjidhnim kështu në këtë moment, por do të bënim një autogol të mundshëm

Planin do ta publikojmë nesër. Të mos ia ngarkojmë konsumatorit familjar krizën sepse kjo do të ishte më e thjeshta, por kjo do të ishte një zgjedhje e rëndë dhe jo e drejtë sepse mundësitë për të kapërcyer këtë fazë agresive pa e ngarkuar konsumatorin familjar ekzistojnë”, është shprehur Rama.