Ekonomi Eksperimenti, El Salvadori bëhet vendi i parë në botë që miraton Bitcoin...

Eksperimenti, El Salvadori bëhet vendi i parë në botë që miraton Bitcoin si monedhë zyrtare

El Salvadori u bë të martën vendi i parë që adoptoi një kriptomonedhë si monedhë zyrtare. Ligji Bitcoin u miratua nga Asambleja Legjislative e El Salvadorit, duke i dhënë kriptomonedhës statusin ligjor brenda El Salvadorit pas 7 shtatorit 2021. Ligji u propozua nga presidenti Nayib Bukele, i cili thotë se bitcoin mund t’i kursejë vendit 400 milionë dollarë në vit në tarifat e transaksioneve për fondet e dërguara nga jashtë. Megjithatë, sipas të dhënave të Bankës Botërore, kjo shifër nuk i kalon 170 milionë dollarë, raporton WSJ.

“Ne duhet të thyejmë paradigmat e së kaluarës”, shkroi ai në rrjetet sociale. “El Salvadori ka të drejtën të përparojë drejt botës së parë”.

Administrata e tij planifikon të shpenzojë më shumë se 225 milionë dollarë në qarkullim, duke përfshirë një kredit prej 30 dollarësh në bitcoin për ata që përdorin Chivo (zhargon lokal për “në modë”) në kuletën elektronike të propozuar nga qeveria. Kjo risi në vendin e varfër të Amerikës Qendrore u pasua menjëherë me protesta. Për më tepër, gabimet teknologjike dhe një rënie e madhe e vlerës e shoqëruan kriptomonedhën që në ditën e parë të zyrtarizimit.

Çmimi i Bitcoin të martën ra në nivelin më të ulët në gati një muaj, nga 52 000 dollarë (37 730) në nën 43 000 dollarë në një moment.

Zëra nga opozita thonë se për El Salvadorin kjo do të thotë një humbje prej 3 milionë dollarë. Ata kundërshtojnë mënyrën si u kalua ligji: pa debat dhe vetëm në pesë ditë.

Përhapja e bitcoin në El Salvador ishte larg asaj që Presidenti Nayib Bukele mund të ketë parashikuar kur filloi eksperimentin e tij të guximshëm në vendin e varfër me 4 milionë banorë. Sipas sondazhit të kryer nga Institutit të Opinionit Publik në Universitetin Qendror Amerikan, tetë në 10 salvadorianë kanë pak ose aspak besim në kriptomonedhën e famshme.

Disa spekulojnë miratimi i bitcoin është një përpjekje për të braktisur përdorimin e dollarit nga vendi si monedhë kombëtare, e vendosur në 2001. Përdorimi i bitcoin do të jetë vullnetar për njerëzit, por i detyrueshëm për bizneset e të gjitha llojeve, përveç nëse ata mund të provojnë se janë teknologjikisht të paaftë për ta pranuar atë.

Duhet shtuar se El Salvador ka linjën me të dobët të internetit në Amerikën Latine dhe Karaibe.