Ekonomi Elon Musk thyen rekordin Guinness për humbjen më të madhe në histori

Elon Musk thyen rekordin Guinness për humbjen më të madhe në histori

Nicolas Vega – CNBC

Elon Musk mund t’i shtojë një titull të ri CV-së së tij – fitues i Rekordit Botëror të Guinness.

“Technoking” i Tesla-s hyri në Librin e Rekordeve Guinness, pasi në vitin 2022, pasuria e tij u tkurr me 182 miliardë dollarë – njoftoi të premten Organizata, në një deklaratë që u referohet të dhënave të Forbes.

Guinness vuri në dukje se, edhe pse “shifra e saktë (e humbjes së Musk) është thuajse e pamundur për t’u pranuar”, ku disa vlerësime flasin për humbje më shumë se 200 miliardë dollarë, pronari i Twitter ka thyer rekordin e mëparshëm – humbjen 58.6 miliardë dollarë të investitorit japonez, Masayoshi Son, në vitin 2000.

Zvogëlimi i pasurisë së Musk, vjen, kryesisht për shkak të uljes së aksioneve të Tesla-s, që humbën rreth 65% të vlerës së tyre gjatë vitit më të keq në historinë e kompanisë.

Humbja ishte e mjaftueshme që ai të humbte titullin e njeriut më të pasur në botë, i cili tani zotërohet nga manjati i luksit, Bernard Arnault.

Natyrisht, Musk nuk është i vetmi miliarder i cili ka pësuar humbje në vitin 2022.

Miliarderët amerikanë kanë humbur në total 660 miliardë dollarë vitin e kaluar, siç ka raportuar më parë CNBC Make It.

Rënia e pasurisë së 53-vjeçarit “e ka shpëtuar” themeluesin e Amazon, Jeff Bezos, nga Rekordi Botëror i Guinness. Humbja 80 miliardë dollarë në vitin 2022 do t’i kishte dhënë Bezos titullin “humbja më e madhe”, po të mos kishte qenë Musk.

Edhe CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg, e ka thyer rekordin e Masayoshi Son, me humbje 78 miliardë dollarë.

Në fund të vitit 2021, pasuria e Musk arriti në 320 miliardë dollarë. Më 10 janar, Forbes vlerëson se pasuria e tij neto është 142.1 miliardë dollarë, duke e bërë njeriun e dytë më të pasur në botë, përpara miliarderit indian Gautam Adani (125.1 miliardë dollarë).