Bota Elton John largohet nga Twitter, reagon Elon Musk

Elton John largohet nga Twitter, reagon Elon Musk

Muzikanti britanik Elton John ka njoftuar se po largohet nga Twitter, duke u bashkuar me të famshmit e tjerë që kanë mbyllur llogaritë e tyre në rrjetin social, pasi u ble nga miliarderi Elon Musk.

John, i cili aktualisht është në turneun e tij të fundit botëror, përmendi një ndryshim të fundit në politikën e Twitter si arsyen e largimit të tij.

“Gjatë gjithë jetës sime jam përpjekur të përdor muzikën për të bashkuar njerëzit. Por tani më trishton kur shoh sesi keqinformimi po përdoret për të ndarë botën tonë,” njoftoi muzikanti në Twitter, ku ndiqet nga më shumë se 1.1 milionë njerëz.

“Kam vendosur të mos përdor më Twitter-in, duke pasur parasysh ndryshimin e fundit të politikës, i cili do të lejojë që dezinformata të lulëzojë pa kontroll”, shtoi ai.

Nuk ka munguar edhe një reagim nga Musk, i cili ka shkruar se e do muzikën e John.

“Shpresoj se do të ktheheni. A ka ndonjë dezinformatë për të cilën jeni veçanërisht të shqetësuar?”, pyeti Musk. Ende nuk ka asnjë përgjigje nga muzikanti.