Kryesore Fatos Tushe përjashtohet nga PS, Rama paralajmëron kryebashkiakët: Vërini gishtin kokës

Fatos Tushe përjashtohet nga PS, Rama paralajmëron kryebashkiakët: Vërini gishtin kokës

Kryeministri Edi Rama deklaroi përjashtimin nga Partia Socialiste të kryebashkiakut të Lushnjës Fatos Tushe i cili është arrestuar për shpërdorim detyre.

Në një takim me kryebashkiakët e vendit, Rama tha se korrupsioni e ryshfeti nuk ka ngjyrë politike dhe kjo masë do të rishikohet nëse ai do të dalë i pafajshëm nga drejtësia.

Rama u ka kërkuar kryebashkiakëve që të kenë shumë kujdes dhe t’i vënë gishtin kokës se në fund do të përfundojnë të vetëm para gjykatës.

Edhe njëherë Rama ka thënë se të gjithë ata që kapen në shkelje nuk do të mbrohen nga Partia Socialiste, pasi nuk mund të ketë mbrojtje për ata që vjedhin paratë e qytetarëve.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Shkaku që e afrimit në kohë këtë takim të planifikuar në fund të Korrikut është arrestimi i kreut të Bashkisë Lushnje dhe bashkëpunëtorëve të tij të akuzuar nga SPAK për korrupsion. Ky takim bëhet për t’iu përsëritur juve dhe të gjithë atyre që do të marrin përgjegjësi, se PS nuk është zyra e avokatisë por është për t’i shërbyer qytetarëve. Korrupsioni ryshfeti bakshishi nuk kanë ngjyrë politike, por janë e zeza, errësira, llumi dhe do të vijojmë që të përballemi për të ndërtuar Shqipërinë.

Do të refuzojmë çdo lloj mbrojtje për këdo mes nesh. Kryetari i Bashkisë së Lushnjes do të shkarkohet nga detyra dhe do të përjashtohet nga PS, këto masa mund të rishikohen vetëm në fund të procesit në varësi të vendimit. Këto masa nuk i marrim se ai është fajtor, pasi nuk mund të themi këtë gjë. Por këto masa i marrim për t’u treguar qytetarëve se kush prek taksat e tyre, është i vetëm me avokatin e vetëm personal përballë drejtësisë. Arsyeja themelore që u thirra është që t’i vini gishtin kokës se mandati ynë i tretë kërkon një punë të trefishtë për qytetarët.

Duhet një vetëdijësim të trefishtë. Më ra në sy se pas takimit të djeshëm me drejtuesit vendor të Policisë së Shtetit, disa kishin thënë se unë isha kujtuar vonë në mbrojtjet të territorit dhe të korrupsionit në polici dhe në luftën kundër ryshfetit që e kërkojnë rrugëve. Por kjo nuk është e vërtetë, as unë nuk jam kujtuar vonë dhe as gjërat nuk janë që kur nisi ringritja e Policisë së Shtetit. Po të shohim majën ku duhet të ngjitemi është e pamjaftueshme.

Prokurimet publike, kërkoj vëmendje nga ana juaj që të ketë garanci, transparencë. Nuk dua t’u hyjë fakteve se sa shumë është përmirësuar sistemi i prokurimeve publike. Edhe për prokurimet publike kam kërkuar një reformë të shpejt për këtë sistem. Tashmë është miratuar dhe ka hyrë në fuqi paketa e re ligjore për prokurimet publike dhe krijon premisat optimale për përmirësimin e sistemit.