Bota Fauci: Për imunitetin e tufës nevojitet vaksinimi i 90% të popullsisë

Fauci: Për imunitetin e tufës nevojitet vaksinimi i 90% të popullsisë

Doktor Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive në SHBA, deklaroi se arritja e imunitetit të tufës kundër koronavirusit mund të kërkojë vaksinimin e deri në 90% të popullit.

Fauci pranoi se kishte ndryshuar pritshmëritë e tij lidhur me këtë çështje pasi më herët kishte thënë se vetëm 60% deri në 70% e njerëzve do të duhej të vaksinoheshin për të arritur imunitetin e tufës.

“Ne realisht nuk e dimë se cili është numri real. Unë mendoj se është diku nga 70 deri në 90 për qind. Por, unë nuk do të them 90 për qind”, tha Fauci për New York Times.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi se më shumë se 1 milionë persona tashmë e kanë marrë vaksinën kundër virusit kinez.

Të dhënat u konfirmuan dhe nga kreu i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Robert Redfield.

“Vaksinimi është një instrument themelor për t’i dhënë fund kësaj pandemie të paprecedentë”, nënvizoi ai.