Bota Forcat ukrainase rimarrin kontrollin e të gjithë Kievit

Forcat ukrainase rimarrin kontrollin e të gjithë Kievit

Trupat ukrainase kanë rimarrë mbi 30 qyteza dhe vendbanime nga forcat ruse në rajonin e Kievit, tha të shtunën këshilltari presidencial Oleksiy Arestovych.

Edhe zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Malyar, ka njoftuar se forcat ukrainase kanë rimarrë në kontroll të gjithë rajonin e Kievit.

“Irpin, Bucha, Gostomel dhe i gjithë rajoni i Kievit është çliruar nga pushtuesi”, shkroi Malyar në Facebook mbrëmjen e së shtunës.

Por ndërsa forcat ukrainase kanë rimarrë më shumë territor pranë kryeqytetit, luftime më intensive do të zhvillohen në zona të tjera të vendit, tha ai për televizionin lokal.

“Të mos kemi iluzione, ka ende beteja të ashpra përpara për jugun, për Mariupolin, për lindjen e Ukrainës”, tha Arestovych.

Gazetarët e agjencisë së lajmeve AFP të cilët u futën bashkë me trupat e para ukrainase në qytetin e Bucha pasi trupat ruse u tërhoqën, raportojnë se kanë parë të paktën 20 trupa të pajetë përgjatë një rruge të vetme.

Bucha, që ndodhet në dalje të Kievit është përballur me disa prej luftimeve më të ashpra përgjatë javëve të fundit.

BBC shkruan se në pamjet e postuara në internet, trupat u panë përgjatë një rruge në qytet dhe dukeshin si të ishin hedhur nga pjesa e pasme e një kamioni. Të gjithë ishin të veshur me rroba civile. Disa i kanë duart e lidhura dhe me plagë plumbash në kokë.

Pamjet po ashtu tregojnë ndërtesa banimi me vrima të hapura nga predhat dhe makina të shkatërruara nëpër rrugë.

Janë mbi “300 persona të varrosur në varre të përbashkëta”, tha kryebashkiaku i këtij qyteti të sapo liruar.

Bucha, së bashku me Irpin, kanë qenë fushëbetejë e luftimeve të ashpra për javë të tëra, si përpjekje e rusëve për të rrethuar kryeqytetin.