Politika Gjykata Kushtetuese rrëzon herësin për shpërndarjen e mandateve

Gjykata Kushtetuese rrëzon herësin për shpërndarjen e mandateve

Gjykata Kushtetuese ka shpallur antikushtetuese pikën tre të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, që parashikon herësin brenda listës së kandidatëve për deputet si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Kërkesa për shfuqizimin e këtij neni ishte bërë nga Bindja Demokratike dhe Lëvizja Demokratike Shqiptare.

Vendimi nuk ka fuqi prapavepruese, që do të thotë se nuk rrezikon mandatet e deputetëve të zgjedhjeve të 25 prillit, ku renditja e listave të kandidatëve ishte caktuar nga partia.

Ish-kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar nenin që parashikon herësin brenda listës së kandidatëve për deputet, duke e quajtur të papajtueshëm me Kushtetutën.

“Herësi i Damianit, i cili e mbyllte me dry kinez listën e deputetëve, që e kishte hapur më parë Kushtetuta. Në pritje të zbardhjes të vendimit, për të cilin nuk besojmë të ketë të papritura, e falënderojmë trupën, që për këtë çështje nuk iu drejtua Komisionit të Venecias.

E kemi ditur që në fillim se nuk prisnim që kjo e drejtë do të aplikohej për zgjedhjet e 25 prillit, i cili do të kishte qenë shërbimi i duhur dhe në kohë për demokracinë dhe shtetin tonë të së drejtës. Por tek e fundit, në Shqipëri do të ketë prapë zgjedhje edhe pas 25 prillit. Kjo ishte e vetmja mundësi që kishim për të vlerësuar votën dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë, siç ata e hedhin, dhe ne atë e shfrytëzuam.

Pas kësaj, presim që këtë vendim ta përshëndesë edhe Partia Demokratike, si forca kryesore e opozitës, sepse ajo para zgjedhjeve është shprehur për lista 100 për qind të hapura”, shkruan Patozi në Facebook.