Bota Gjyqi në SHBA, dëshmon e dashura e George Floyd-it: Pse ishim të...

Gjyqi në SHBA, dëshmon e dashura e George Floyd-it: Pse ishim të varur nga opioidet

Gjatë seancës gjyqësore të së enjtes e dashura e George Floyd-it përshkroi mes lotësh se si ishte takuar me të për herë të parë, rreth tre vite para incidentit vdekjeprurës në qytetin e Mineapolisit.

Courteney Ross dëshmoi në ditën e katërt të gjyqit ndaj ish-oficerit të policisë Derek Chauvin, i akuzuar mbi vdekjen e Floyd vitin e kaluar, një ngjarje që shkaktoi protesta të gjera kundër dhunës policore dhe racizmit sistematik.

Ross tha se ishte takuar me zotin Floyd në një nga degët e shoqatës së krishterë të bamirësisë “Salvation Army”, ku ai punonte si një roje sigurie dhe se i kishte folur siç tha ajo, me “një dialekt të shkëlqyer jugor”. Ajo pranoi gjithashtu se të dy kishin vuajtur nga varësia prej opioideve.

“Është historia klasike se si njerëzit bëhen të varur nga opioidet. Të dy vuanim nga dhimbje kronike, unë në qafë dhe ai në shpinë”, tha Ross.

“Të dy i merrnim ilaçet kundër dhimbjeve me recetë. Por receta pas recetash ne fituam varësi. Por shumë herë u përpoqëm realisht shumë që ta thyejmë varësinë (nga opioidet)”, shtoi zoti Ross.

Dëshmia e saj u duk si një përpjekje e prokurorëve për ta shfaqur më njerëzore figurën e Floyd e për të nxitur ndjeshmërinë tek anëtarët e jurisë. Ekipi i avokatëve mbrojtës të Chauvin pritet të theksojë se autopsia gjeti përmbajtje fentanili dhe metamfetaminë në trupin e Floyd.

Të mërkurën u shfaq dhe një video e cila tregonte Chauvin duke thënë se zoti Floyd ishte “një djalë trupmadh” dhe “ndoshta kishte pirë ndonjë gjë”.

Chauvin i vendosi gjurin zotit Floyd në pjesën e pasme të qafës duke e mbajtur për 9 minuta dhe 29 sekonda, ndërsa Floyd qante vazhdimisht duke thënë se nuk po merrte dot frymë.

Zoti Chauvin, një polic i bardhë, u pushua nga departamenti i policisë së qytetit një ditë pasi afro-amerikani George Floyd, vdiq në duart e policisë.

Anëtarët e jurisë dëgjuan gjithashtu dëshmi nga disa dëshmitarë, mes tyre arkëtari i dyqanit që i shiti cigare Floyd vetëm disa momente para incidentit.

Christopher Martin dëshmoi se ai me vetëdije e kishte pranuar kartëmonedhën false prej 20 dollarësh nga Floyd për të blerë cigare, edhe pse e dinte se në përputhje me politikën e dyqanit, paratë do t’i mbaheshin nga paga e tij.

19-vjeçari tha pasi pati dyshime rreth vendimit që mori, ai kishte informuar menaxherin e dyqanit. Ky i fundit i kishte thënë që të dilte jashtë dhe t’i kërkonte zotit Floyd të kthehej në dyqan.

“Nëse thjesht nuk do ta kisha marrë kartëmonedhën, kjo gjë do të ishte shmangur”, tha zoti Martin.

Duke u bërë jehonë ndjenjave të dëshmitarëve të tjera mbi incidentin, zoti Martin tha se ajo që kishte ndodhur i ishte dukur si diçka “e pabesueshme dhe se ishte ndjerë fajtor”, kur qëndronte buzë trotuarit duke parë arrestimin e Floyd.

Zoti Martin është një prej disa personave që kanë dëshmuar në lidhje me zhgënjimin dhe zemërimin e tyre mbi ngjarjen që ndodhi në maj të 2020 jashtë një kinkalerie.

Derek Chauvin përballet me akuza për vrasje dhe vrasje pa paramendim, për të cilat është vetëdeklaruar si i pafajshëm. Avokatët e tij mbrojtës kanë argumentuar se zoti Chauvin kishte ndjekur procedurat sipas trajnimeve që ka bërë dhe se faktorë të tjerë, të tillë si sëmundja e zemrës dhe përdorimi i drogës, kishin shkaktuar vdekjen e zotit Floyd.

Qyteti i Mineapolisit së fundmi ra dakord t’u paguajë të afërmëve të zotit Floyd një shumë prej 27 milionë dollarësh dëmshpërblim si pjesë e një marrëveshjeje për t’i dhënë zgjidhje pretendimeve të tyre rreth kësaj çështjeje.