Sport Ibra: Sezonin tjetër dua titullin. Giroud i mirëpritur, por Zoti jam vetëm...

Ibra: Sezonin tjetër dua titullin. Giroud i mirëpritur, por Zoti jam vetëm unë

Gjiganti suedez, i cili humbi Europianin për arsye dëmtimi, mirëpret kthimin e Jose Mourinhos në Serinë A, pas 11 vjetësh, ndërsa nuk i kursen thumbat për Allegrin, me të cilin ka punuar te Milani

Zlatan Ibrahimovic kthehet të flasë dhe e bën atë si gjithmonë në mënyrën e tij, të hapur. Në një intervistë të gjatë ekskluzive për “La Gazzetta dello Sport”, sulmuesi suedez adreson të gjitha çështjet e futbollit aktual. Duke filluar nga largimi i Gianluigi Donnarumma.

“Më vjen keq. Shumë. Ju më pyetët nëse lojtarët fitojnë shumë, tani unë bëj një pyetje: çfarë vlere ka Donnarumma? Ai u rrit në Milano, mund të ishte portieri i ekipit për 20 vite. Ndoshta 20 vite jo, sepse ai nuk është Ibra. Sidoqoftë, ai është portieri më i fortë në botë. Mund të ishte bërë “Mister Milan”, si Paolo Maldini. Sa mund t’i ofronte Maldini? Nuk ka asnjë shifër. Tregu e bën vlerën. Është si në bursë. Nëse Gigio largohet apo jo, nuk e di. Duhen dy për tangon. Unë do t’i thosha të qëndronte te Milani deri në fund”.

“Mourinho mori drejtimin e një klubi që nuk është favorit për titullin. Ai nuk ishte mësuar me këtë, por pikërisht për këtë arsye do të jetë mirë. Pastaj ai është një personazh tërheqës, gjithçka që thotë bën xhiron e botës. Allegri? Kur e kisha trajner, ishte në fillimet e tij, pastaj u bë fitues. Ndoshta do të kishte qenë më mirë të kishte një përvojë jashtë, por jo të gjithë janë si Zlatani që merr valixhen dhe shkon në kopshtin e të tjerëve. Secili është gatuar në mënyrën e vet”.

Ibra e sheh pozitivisht afrimin e Olivier Giroud, i cili, me sa duket, është i destinuar të jetë alternativë e suedezit pas largimit të Mandzukicit.

“Sa më shumë lojtarë të nivelit të lartë të mund të afrojmë, aq më mirë. Giroud ka përvojë të shkëlqyeshme dhe nuk kemi shumë lojtarë, që kanë fituar trofe. Nëse ai vjen, është i mirëpritur. Unë egoist? Më pëlqen, ka shumë mbretër, por vetëm një Zot dhe jam unë. Por, pa shokët e mi të skuadrës nuk shkoj askund dhe e di këtë. Futbolli më bëri të takohem me njerëz, të bëj udhëtime, të përjetoj kultura të ndryshme. Ai më dha jetën që kam. Çfarë i dhashë unë? Sulmuesin më të plotë në botë”.

Në krye të Milanit është gjithmonë Stefano Pioli, me të cilin Zlatan e lejon veten të bëjë ndonjë shaka: “A jam zëvendësi i tij? Unë tashmë e kam bërë këtë prej një viti e gjysmë. Tani le të kërkojmë gjëra të tjera për të bërë”.

Qëllimi në kokën e Ibrahimoviçit për sezonin e ardhshëm mbetet shumë i qartë: fitimi i titullit: “Ka skuadra që po vuajnë ekonomikisht pas pandemisë dhe nuk mund të lëvizin më si në të kaluarën. Atalanta dhe Milani më duket se janë klubet më solide nga kjo pikëpamje. Pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë në fushë. Do të jetë një kapitull tjetër për Milanin. Një kampionat i vështirë, ne do të duhet të luftojmë me Atalantën, Inter, Juve, Napoli… Një ekuilibër i mirë. Unë do të përpiqem ta fitoj titullin përsëri, me shokët e skuadrës”.