Sport Igor Belanov, nga Topi i Artë në fushën e betejës për të...

Igor Belanov, nga Topi i Artë në fushën e betejës për të luftuar për Ukrainën e tij

Ish-sulmuesi i njohur i ish-Bashkimit Sovjetik, Igor Belanov, ka fituar çmimin prestigjioz të “France Football” në vitin 1986, duke pasuar Mishel Platininë. Karriera e tij është e lidhur me Dinamon e Kievit, ndërsa sot lufton si shumë ish-sportistë të tjerë për të çliruar vendin e tij nga pushtuesit rusë.

Massimo Oriani – Gazzetta dello Sport

“Lavdi Ukrainës! Lavdi heronjve!” Është motoja zyrtare e kombëtares verdheblu, e kontestuar nga rusët kur lufta ishte ende një “çështje private” mes dy kombeve, një konflikt i limituar te kufijtë e Krimesë, që bota e injoronte.

Këto ditë kemi parë shumë sportistë ose ish-sportistë profesionistë të rrëmbejnë armët dhe të luftojnë ndaj pushtuesit. Mes tyre është edhe një fitues i “Topit të Artë”, Igor Belanov. E ka fituar në vitin 1986, pas Mishel Platinisë dhe para Rud Gulit.

Atë vit Belanov la pas Geri Linekerin dhe Emilio Butraguenjon, duke përfaqësuar kombin që sot kërkon të shfarosë popullin e vet, Bashkimin Sovjetik që kapej pas një muri që po jepte shenjat e shembjes. Në atë kohë çmimi i “France Football” u jepej vetëm lojtarëve europianë, kështu që Diego Armando Maradona, kampion bote me Argjentinën, nuk mund ta fitonte. Por konkurrenca ishte e madhe gjithsesi: nga Marko Van Basten, ende tek Ajaksi, te Platini dhe Gulit.

Ishte edhe Helmut Dukadam, që priti 4 penallti në finalen e Kupës së Kampionëve, duke i dhuruar trofeun Steauas së Bukureshtit ndaj Barcelonës së Bernd Shuster. Por çmimin më të rëndësishëm individual e fitoi pikërisht sulmuesi i lindur në Odesa në 1960-ën, ku hodhi hapat e parë me Çornomorets, para se të kalonte në 1985-ën te Dinamo e Kievit e kolonelit Lobanovski, “zbuluesit” të Andrij Shevçenkos.

Me Dinamon Belanov fitoi kampionatin dhe zuri vendin e dytë në klasifikimin e golashënuesve me 10 gola, kurse në Kupën e Kupave shënoi 5 gola dhe skuadra e tij fitoi në finale 3-0 ndaj Atletiko Madrid, me gola të Zavarov dhe Bllohin, një tjetër legjendë ukrainase.

Në Botërorin e 1986-ës Belanov luajti here pas here dhe kombëtarja e tij, që kishte në përbërje edhe Aleinikov, Protasov dhe Bllohin, pasi fitoi grupin, u eliminua në 1/8-at nga Belgjika e Pfaf, Shifo dhe Kulemans, 4-3 pas kohës shtesë. Tripleta e Belanov la shenjë te votuesit e “Topit të Artë”.

Kur fitoi çmimin, sulmuesi ukrainas me sinqeritet tha: “E di që ky çmim u dedikohet rezultateve të Dinamos së Kievit më shumë se asaj që kam bërë në nivel individual. Mendoj se e meritonte më shumë Zavarov”. Në fakt e fitoi ai, sovjetiku i tretë në histori, pas Lev Jashin (1963) dhe Oleg Bllohin (1975).

Belanov do të kalonte te Xhenoa në Itali, por Kremlini në atë kohë kishte një rregull, që nuk i lejonte lojtarët nën 29 vjeç të luanin jashtë. Pasi mbushi 29 vjeç, sulmuesi firmosi me Borusia Mënshengladbah, një aventurë që përfundoi keq, sepse lojtari u denoncua dhe iu gjetën rroba të vjedhura, çka bëri që gjermanët ta largonin. E mbylli karrierën në vendin e tij, me Çornomorets dhe Azovetz Mariupol.

Kohët e fundit Belanov jetonte në Odesa, ku kishte hapur një shkollë futbolli. Tani është në luftë, jo për të mundur mbrojtësit dhe portierët kundërshtarë, por për të mbrojtur popullin e tij nga pushtuesit rusë. 61-vjeçari është fotografuar me armë në dorë. “Kam luajtur me krenari për Bashkimin Sovjetik dhe jam shumë i tronditur nga kjo luftë”, – ka thënë Belanov.

“Paqe Ukrainës dhe lavdi të gjithëve atyre që luftojnë me pushtuesit që po shkatërrojnë vendin tonë dhe popullin tonë të lirë dhe heroik. Kjo karakterizon ushtarët tanë, – ka vazhduar Igor Belanov. – Ne jemi me ju! Duke besuar në fitoren tonë të shpejtë, lavdi Ukrainës!”