Politika Inceneratorët, Tabaku: Janë paguar pedagogë dhe media për të folur pozitivisht

Inceneratorët, Tabaku: Janë paguar pedagogë dhe media për të folur pozitivisht

Në një deklaratë për mediat, kryetarja e komisionit hetimor për inceneratorët, Jorida Tabaku, është shprehur se shkeljet e evidentuara nga ky komision janë jashtëzakonisht të rënda.

“Sot shkeljet e evidentuara në komision janë jashtëzakonisht të rënda. Bëhet fjalë për një skemë të pastrimit të parave që kanë shkuar në duart e zyrtarëve shtetërorë”, tha Tabaku.

Tabaku tha më tej se janë paguar pedagogë, si edhe mediat, për të folur pozitivisht për inceneratorët.

“Elementi që arritëm të kuptojmë sot nga intervistat, veç shkeljes së kontratave, është keqpërdorimi dhe vjedhja e fondeve të buxhetit të shtetit. Në rastin e Tiranës kemi 1,3 milionë euro për sponsorizime shkollash, kontrata konsulence, të cilët kanë paguar individë, pedagogë, për të shkruar pozitivisht për inceneratorin. Në mes të vitit të pandemisë kemi një total shpenzimesh udhëtimi prej rreth 850 mijë euro. Kemi reklama për mediat 450 mijë euro, por ajo që është më e rëndësishme është skema piramidale e ngritur dhe pagesat të kompanive që zotërohen po nga Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe Klodian Mërtiri”, tha Tabaku.