Aktualitet Pse francezët i morën makinën ish-kryeministrit shqiptar, detajet e një operacioni që...

Pse francezët i morën makinën ish-kryeministrit shqiptar, detajet e një operacioni që është mbajtur sekret

Porsche Cayenne, foto ilustruese

Analisti Lorenc Vangjeli ka zbuluar një detaj pikant nga operacionet që Shqipëria ka bërë në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare.

Vangjeli tha në emisionin ‘Kontrast’ se më tepër se një vit më parë një ish-kryeministër shqiptar (pa i zbuluar emrin) është detyruar të zbresë nga automjeti Porsche Cayenne që ngiste, pasi automjeti kërkohej për t’u sekuestruar nga autoritetet franceze dhe se i përkiste një personazhi të botës së krimit.

“Në një hetim me autoritetet franceze, u kërkua sekuestrimi i një makine tepër luksoze. Dhe për shkak të kërkesës së autoriteteve franceze, nga timoni i saj zbriti një ish-kryeministër. Që do të thotë se një ish-kryeministër i Shqipërisë përdorte një automjet të ardhur nga bota e krimit. Makina u sekuestrua dhe u dërgua në Francë për llogari të autoriteteve”, tha Vangjeli duke zbuluar për herë të parë një episod të panjohur.

Ky rrëfim u konfirmua edhe nga ish-prokurori Beci. Ai shtoi në ‘Kontrast’ se përveç automjetit në fjalë, personit të ndaluar iu sekuestruan dhe një sërë pronash.

“Jo vetëm makina, por edhe disa apartamente dhe asete në Vlorë. Makina ishte e një shtetasi shqiptar që ishte emigrant në Francë dhe kishte aktivitet kriminal dhe tregtar atje. Por më interesante ishte që me autoritetet franceze krijuam një marrëdhënie të ngushtë dhe ata ndërhynë që çdo lloj aseti që do t’u bllokohej këtyre elementëve do t’i kalonte Shqipërisë si një lloj ndihme financiare për autoritetet shqiptare”, tha Beci për Report TV.