Sport Italia ndryshon, Pessina-Chiesa titullarë. Shpresohet për Chiellinin

Italia ndryshon, Pessina-Chiesa titullarë. Shpresohet për Chiellinin

Barella dhe Berardi pa energji ndaj Austrisë, të premten diccka do të ndryshojë në formacionin fillestar. Kapiten Chiellini “synon” markimin e Lukakut

Tashmë që kundërshtari i çerekfinales është i njohur, Roberto Mancini dhe stafi i tij mund ta studiojnë atë dhe të përgatisin skuadrën në mënyrën më të mirë. Në fakt, që para fitores së Belgjikës ndaj Portugalisë po mendohej për ndryshime në formacion, me 2-3 elementë që trajneri ka në plan t’i hedhë në fushë nga minuta e parë të premten.

Italia duhet të japë më të mirën ndaj kundërshtarit të parë të një niveli të lartë në këtë Europian. Sinjalet janë katër: tre janë ata që lanë shenjë në ndeshjen me Austrinë duke hyrë nga stoli, Pessina, Locatelli dhe Chiesa, ndërsa i katërti varet nga mkjekët dhe ka të bëjë me Chiellinin. Duke nisur nga kapiteni, është e natyrshme që prania e tij në krah të Bonuccit do t’i jepte siguri një reparti që vuajti ndaj Austrisë, sidomos me futjen e Kalajdzic.

Dyshja e Juventusit e ka mbajtur mirë Lukakun në ndeshjet ndaj Interit dhe rikuperimi i Chiellinit do të ishte i rëndësishëm më shumë se ai i Florenzit. Nëse Chiellini jep garanci, patjetër do të jetë titullar. Ndryshime priten edhe në mesfushë, pak sepse Pessina dhe Locatelli kanë treguar formë të mirë, dhe pak sepse Verratti dhe Barella, për arsye të ndryshme, janë në shënjestër.

Barella është dukur i lodhur pas atij sezoni të gjatë me Interin, kurse lojtari i PSG-së ende nuk ka kapur ritmin, pasi vjen nga një dëmtim. Pessina ka shumë shanse të zëvendësojë Barelën edhe për të garantuar një ekip solid për të përballuar një mesfushë numerikisht më ta madhe si ajo belge. Për Mancininm Verratti është i paprekshëm dhe pritet të konfirmohet, kështu që Locatelli me shumë mundësi e nis sërish nga stoli.

Në sulm duket thuajse i sigurt ndryshimi Chiesa-Berardi, sepse dëshira, intensiteti dhe efikasiteti që ka treguar lojtari i Juventusit e bëjnë Mancinin ta llogarisë në fushë nga minuta e parë. Për më tepër, Chiesa duket më në sintoni me kërkesat taktike të trajnerit, ndaj dhe është favorit ndaj Berardit. Shumë e vështirë duket ndërkohë që maja e sulmit t’i besohet Belottit në vend të Immobiles.