Bota Izraeli zgjeron operacionin tokësor, bombardim i “pa precedent”, Gaza në terr, humbet...

Izraeli zgjeron operacionin tokësor, bombardim i “pa precedent”, Gaza në terr, humbet kontakti me banorët

Situata në Gaza sa vjen dhe bëhet më e tensionuar me bombardimet e shtuara nga ana e Izraelit në orët e fundit në gjithë Rripin, por mbi të gjitha me zgjerimin e një inkursioni tokësor të paralajmëruar.

Luftimet, sipas fraksionit të Hamasit, po zhvillohen në pjesën veriore të Rripit, pikërisht aty ku shteti hebre ka zgjeruar operacionin tokësor dhe ka bërë edhe inkursion me tanke.

Sipas raportimeve të fundit nga Lindja e Mesme, tashmë tanket e para izraelite kanë filluar të mësyjnë një Gaza tërësisht të shkëputur nga bota, pa rrymë elektrike, pa komunikim dhe pa internet.

Nuk është bërë ende e ditur se në çfarë shkalle ky inkursion fillestar është, ndërsa Izraeli iu ka bërë thirrje gjithë palestinezëve që jetojnë në veri, që të largohen urgjentisht drejt jugut.

Zgjerimin e operacioneve gjatë natës ndërkaq, e raportoi Daniel Hagari, zëdhënësi i Ushtrisë izraelite.

Hagari tha se forcat tokësore të Izraelit po i zgjerojnë operacionet e tyre në Gaza mbrëmjen e sotme. Sipas ushtrisë izraelite, forcat ajrore po sulmojnë gjerësisht objektivat nëntokësore.

Rripi i Gazës aktualisht i ngjan një ferri real, me bombardime masive mbi kokat e palestinezëve dhe një blackout tërësor në gjithë Gazën.

Bombardimet izraelite në Gaza janë të paprecedenta. Madje, ato po kthehen në më të ashprat të dekadave të fundit.

Ndërkohë, kompania e Telekomunikacionit në Palestinë, “Paltel” deklaroi se janë ndërprerë të gjitha shërbimet e komunikimit dhe të internetit me Rripin e Gazës nën agresionin e vazhdueshëm izraelit. Grupi i monitorimit të internetit “Netblocks” konfirmoi rreth orës 17:30 se të dhënat e rrjetit treguan një kolaps në lidhjen në Rripin e Gazës.

Gjithashtu, Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës thotë se ka humbur plotësisht kontaktet me qendrën e saj të operacioneve në Rripin e Gazës.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për aftësinë e ekipeve tona për të vazhduar ofrimin e shërbimeve të tyre mjekësore emergjente, veçanërisht pasi kjo ndërprerje prek numrin qendror të urgjencës ‘101’ dhe pengon mbërritjen e automjeteve të ambulancës për të plagosurit dhe të lënduarit”, thotë organizata në një deklaratë.

Gjithashtu, Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës është e shqetësuar për sigurinë e ekipeve të saj që punojnë në Rripin e Gazës dhe i bën një thirrje botës që të ushtrojë presion mbi autoritetet izraelite për të ofruar mbrojtje të menjëhershme për civilët e pafajshëm, objektet mjekësore dhe ekipet e tyre.

Po ashtu, organizata ndërkombëtare bamirëse “ActionAid” thotë se ka humbur kontaktet me kolegët e saj në Gaza. Organizata bamirëse shprehet “shumë e shqetësuar për sigurinë e tyre dhe të të gjithë njerëzve të Gazës”.