Politika Ja sa anëtarë me të drejtë vote ka Partia Demokratike

Ja sa anëtarë me të drejtë vote ka Partia Demokratike

Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Partisë Demokratike, Jemin Gjana, ka treguar detaje nga procesi zgjedhor që po zhvillohet për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë. Gjana në një deklaratë për mediat ka treguar se fushata do të mbyllet në 11 Qershor dhe në datën 12 do të jetë heshtje zgjedhore.

Po ashtu kreu i Komisionit Zgjedhor në PD tregoi se brenda datës 7 Qershor do të miratohet dhe fleta e votimit dhe renditja e kandidatëve.

Ai tregoi dhe numrin e anëtarëve që kanë të drejtë vote, duke thënë se në PD ka shumë simpatizantë apo të angazhuar, por teserën e partisë e kanë vetëm 75 mijë e 67 persona të cilët do të kenë mundësi të zgjedhin në 13 Qershor.

“Dje pasdite kemi kryer konstituimin përfundimtar ët Komisionit, në kuptimin që jemi plotësuar me 4 anëtarë përfaqësues të 4 kandidatëve. Kemi bërë mbledhjen së bashku me ta. Ka nisur në datën 24 maj, do të mbyllet në 11 Qershor.

Pastaj fillon heshtja zgjedhore. Kryesitë e degëve në rrethe të PD dhe kandidatët janë të detyruar të sjellin në Komision të PD emrat e anëtarëve të Komisioneve, është përcaktuar një periudhë kur do të merremi me trajnimin e komisionerëve.

Deri në datë 6 do të miratojmë modalitetet e fletëve të votimit, do hedhim shortin e renditjes së kandidatëve. Brenda datës 7 do të miratojmë vendvotimet bazuar në propozimet e degëve dhe listën e votuesve dhe modalitetet e fletës së votimit deri në datën 8. Materialet do të tërhiqen në datë 11 deri në 4 pasdite nga kryetari i Komisionit dhe secili nga përfaqësuesit e kandidatëve që dëshiron“, u shpreh ndër të tjera Gjana.