Sport Juventusit i mjafton një gol magjik. Napoli keqtrajton Sassuolon

Juventusit i mjafton një gol magjik. Napoli keqtrajton Sassuolon

Juventusit i ka mjaftuar një gol kryevepër për të dalë me 3 pikë të plota nga ndeshja e radhës në transfertë përballë ekipit të Lecce-s.

Bardhezinjtë vinin me moral të dëmtuar në këtë takim, pas humbjes ndaj Benficas në Champions League në mesjavë që i la jashtë fazë së 16 më të mirave të kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube.

Goli i fitores u shënua në minutën e 73 të takimit nga talenti ri Fagioli që shënoi një gol alla Del Piero.

Napoli në anën tjetër vijon formën e mirë në kampionat, teksa pasditen e sotme ka triumfuar me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Sassuolos në “Diego Armando Maradona”.

Skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti nuk e ka provuar ende shijen e humbjes këtë sezon, teksa numëron plot 15 fitore dhe vetëm dy barazime në kampionat e Champions League së bashku.

Victor Osimhen ishte heroi i të kaltërve në sfidën ndaj Sassuolos, pasi shënoi tre nga katër golat, duke marrë në shtëpi edhe topin e ndeshjes, ndërsa rrugën e rrjetës e gjeti edhe ylli gjeorgjian Kvaratskhelia.

Me këtë fitore Napoli blindon kreun me 32 pikë në total, i ndjekur nga Milani me 26 dhe Lazio me 24 pikë.