Sport Klopp: Të pavaksinuarit janë si të dehurit në timon

Klopp: Të pavaksinuarit janë si të dehurit në timon

Jurgen Klopp fton të gjithë futbollistët e Premier League që të vaksinohen. Trajneri i Liverpoolit gjeti një krahasim të goditur për të thënë se sa e rëndësishme është që të krijohet mbrojtja nga koronavirusi, për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Sipas tij, të pavaksinuarit janë si të dehurit në timon, të cilët nga momenti në moment mund të shkaktojnë një aksident.

Duke iu përgjigjur atyre që i kërkuan një mendim për faktin se, në Premier League, vetëm shtatë ekipe nga 20 kanë më shumë se 50% të lojtarëve të vaksinuar, Klopp deklaroi:

“Te Liverpooli janë 99% të vaksinuar. Nuk m’u desh të flisja me lojtarët e mi për t’i bindur. Ishte më shumë një vendim i natyrshëm, që doli nga grupi. Nuk mbaj mend të kem folur me asnjë nga lojtarët e mi, sepse nuk jam mjek. Është pak a shumë si të ngasësh makinën në gjendje të dehur, me siguri të gjithë kemi kaluar një situatë ku, pasi pimë disa birra, i thamë vetes “ende mund të vozis”, por ligji nuk e lejon. Dhe ky ligj nuk ka për qëllim të më mbrojë mua që do të doja të vozisja pasi te kem pirë dy birra, por të mbrojë të tjerët nga fakti që jam i dehur. Me vaksinimet është e njëjta gjë: na kanë thënë specialistët se është zgjidhja për të dalë nga ky moment. Nuk jam vaksinuar vetëm për të mbrojtur veten, por, të gjithë njerëzit përreth meje. Kam folur me mjekët që kam njohur prej vitesh. Dhe pastaj i përkas një grupmoshe (tekniku gjerman është 54 vjeç) për të cilën gjërat mund të mos jenë më të lehta. Nëse nuk do të vaksinohesha, do të kisha qenë në rrezik“.