Sport Konsiderohej talent më i madh se Buffon, por përfundoi picier

Konsiderohej talent më i madh se Buffon, por përfundoi picier

Angelo Pagotto kishte një të ardhme të ndritur në futboll, por vendimet e tij të gabuara bënë që të shkatërronte gjithçka. Ai konsiderohej portieri më i talentuar i Italisë, madje edhe më i talentuar se Gianluigi Buffon, por droga dhe paratë e tepërta nuk e lejuan që të ishte një nga gardianët e portës më të mirë në botë.

Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, 47-vjeçari tregon detajet e një karriere të hedhur në mbeturina.

“Isha titullar i U21, kisha shumë para’ nëpër duar, por nuk kisha një familje solide që të më udhëhiqte. Kisha çdo femër që doja. Atë kohë, Buffon ishte mbrapa meje në hierarki, edhe për faktin se ishte më i vogël se unë. Por, unë dhe Buffon ishim portierët e së ardhmes. Më erdhi ofertë nga Juventusi, më mori vetë Moggi në telefon. Refuzova dhe zgjodha Sampdorian, sepse aty do të kisha më shumë hapësirë për të luajtur. Ndoshta do të kishte qenë më mirë po të shkoja te Juvja”, tregon Pagotto.

Pasi luajti vetëm një sezon me Milanin (1996-1997), Pagotto doli pozitiv për kokainë te Perugia dhe u dënua: “Të gjithë miqtë që kisha bërë në futboll, u larguan. Kalova dy vite në hotelin që kisha me mamanë time, shkoja shpesh në disko dhe dola jashtë kontrolli. Nisa rehabilitimin dhe vetëm me ndihmë profesionale arrita që të dal nga humnera e depresionit”.

Edhe pasi mbaroi dënimin, Pagotto nuk arriti dot të rikthente karrierën e tij: “Të gjithë më kishin marrë inat. Presidenti i Triestinës më akuzoi se trukoja ndeshjet, e denoncova dhe u largova prej andej. Por, nuk gjeta dot ekip të ri. Kur më në fund shkova te Crotone, dola prapë pozitiv me kokainë. Nuk kisha adrenalinë në fushë, prandaj përfundova te droga. Më përjashtuan përjetë nga futbolli”.

Në këtë pikë, Pagotto vendosi të largohej nga Italia dhe shkoi në Gjermani, aty ku nisi të punonte picier: “Punoj në kuzhinë, por edhe stërvis portierët në skuadrën e qytezës ku jetoj. Më në fund, jam i lumtur”.