Aktualitet Kryebashkiaku i Mallakastrës u dënua me 3 vite burg në Greqi pas...

Kryebashkiaku i Mallakastrës u dënua me 3 vite burg në Greqi pas sherrit me pronarin

Detaje të reja janë zbuluar nga dënimi me tre vite burg në Greqi i Qerim Ismaliajt, kryebashkiakut të Mallakastrës.

Ngjarja që mund t’i kushtojë karrierën si politikan Ismailajt, ka ndodhur në vitin 1999, kur ai jetonte si emigrant në Greqi.

Më konkretisht, Qerim Ismailaj në vitin 1999 punonte në ndërtim në shtetin fqinj, në ishullin Hiot dhe pronari që e kishte punësuar në atë kohë nuk e kishte paguar për një punë të bërë dhe kishte një shumë të konsiderueshme parash për t’i dhënë.

Mësohet se biznesmeni grek dhe kryebashkiaku i Malakastrës janë takuar dhe janë përplasur fizikisht mes tyre.

Në momentin e sherrit shtetasi grek është rrëzuar e ka përplasur kokën në kalldrëm duke marrë plagë.

Pas kësaj, ai bëri kallëzim në polici, dhe menjëherë policia greke arrestoi Ismailajn, i cili u dënua me tre vite burg.

Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme ka arritur në përfundimin se Qerim Ismailaj e prek ligji i dekriminalizimit.

Shkresa e Prokurorisë i është përcjell Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.