Bota Kthesa e madhe historike, Gjermania dërgon mijëra armë në Ukrainë

Kthesa e madhe historike, Gjermania dërgon mijëra armë në Ukrainë

Nje ushtar ukrainas prane nje zone te bombarduar nga ruset

Gjermania ka bërë një kthesë të madhe duke dërguar mijëra armë në Ukrainë. Kurrë më parë Gjermania nuk pati dërguar armë në një zonë ku ka pasur konflikte.

Berlini do të dërgojë në Ukrainë 1 mijë armë kundërtank dhe 500 raketahedhëse, ka bërë të ditur kancelar, Olaf Scholz këtë të shtunë.

Vendimi është një kthesë e politikave të ndjekura deri tani nga Gjermania për eksportin e armëve.

Gjermania prej muajsh është vënë në qendër të kritikave për përgjigjen e saj ndaj agresionit rus në Ukrainë.

Berlini deri tani mbante qëndrim kundër dërgimit të armëve në zonat e konfliktit duke bllokuar kështu transferimin e armatimeve të prodhuara anë Gjermani nga vendet anëtare të NATO-s drejt Ukrainës.

“Sulmi i Rusisë shënon një pikë kthese. Është detyra e jona që të bëjmë më të mirën për të ndihmuar Ukrainën që të mbrohet nga pushtimi i ushtrisë së Putinit”, deklaroi Scholz.

Gjermania gjithashtu i ka dhënë leje Holandës që të transferojë 400 granatahedhëse në ndihmë të Ukrainës.

Gjermania është ekonomia më e madhe dhe vendi më i fuqishëm i BE-së. Berlini është i varur nga gazi rus dhe vazhdimisht kjo ka qenë një pengesë në diskutimet për sanksionet ndaj Rusisë.

Presioni i madh, përshirë atë të zyrtarëve të Ukrainës, duket se ka bërë që Gjermania të tërhiqet.