Sport Kush do e fitojë titullin? Ja pengesat për t’u kaluar nga Reali...

Kush do e fitojë titullin? Ja pengesat për t’u kaluar nga Reali dhe Barça

La Liga vazhdon “të marrë frymë” me “pulsin” e Real Madridit dhe Barcelonës, që luftojnë për titullin. Ky është fakt evident. Pengesa e azulgrana-ve në fushën e Sevilla i mban ata në krye për momentin, me 65 pikë në 30 javë kampionat. “Los Blancos”, të cilët luajnë këtë të diel kundër Real Sociedad, kanë tri pikë më pak. Në letër, për këtë “stacion” të garës, madrilenët kanë një ndeshje më pak delikate se rivalët e titullit. E thënë ndryshe, nëse ata fitojnë në “Real Arena”, do të udhëheqin klasifikimin. Pas mbarimit të javës së 30-të të La Ligas, do të mbeten edhe tetë ndeshje për t’u luajtur nga secila skuadër. Real Madridi ka katër ndeshje në shtëpi (Mallorca, Getafe, Alavés dhe Villarreal) dhe katër në transfertë (Espanyol, Athletic Club, Granada dhe Leganés).

Barcelona ka katër duele në shtëpi (Athletic Club, Atlético Madrid, Espanyol dhe Osasuna) dhe katër të tjera në transfertë (Celta, Villarreal, Valladolid dhe Alavés). Në këtë pikë të gjërave, duke gjykuar hipotetikisht mbi vështirësinë e kundërshtarëve që do të kenë përballë, mund të bëhet një parashikim se kush është më i favorizuar për titullin, Barcelona apo Real Madridi. Gjithsecili prej jush mund të dalë në një përfundim, duke pasur parasysh se katalanasit, me hapin fals të mbrëmshëm iu dhanë shansin të bardhëve për të qenë në të njëjtën “gjatësi vale” pas javës së 30-të. Për më tej, mbetet të shihet hap pas hapi dhe ndeshje pas ndeshjeje, ku gabimet bëhen më fatale se kurrë…