Sport Kylian Mbappe ka vendosur të largohet nga PSG

Kylian Mbappe ka vendosur të largohet nga PSG

Lajm i bujshëm nga Franca! Kylian Mbappe kërkon largimin nga PSG. “Ylli” francez synon t’i japë fund marrëdhënies së tij me klubin parizien, arsye kjo që shpjegon refuzimin e tij për të diskutuar rinovimin e kontratës, që i skadon në fund te sezonit 2021-2022.

Sipas “Times”, Kylian Mbappé ua ka bërë të qartë drejtuesve të klubit që dëshirojnë të largohet verën e ardhshme, kështu që, për të mos e humbur me parametër zero, duhet të dëgjojnë ofertat dhe të pranojnë më të mirën për të. Në të kundërt, do ta humbin në verë të vitit 2022 pa përfituar qoftë një qindarkë.

Të gjithë e dinë që Mbappé është dëshira e madhe e Real Madridit dhe se marrëdhënia e dashurisë midis sulmuesit dhe klubit madrilen është publike, megjithatë priten sulme nga klube të tjera të mëdha, veçanërisht nga ato të Manchesterit, pa harruar Barcelonën, që do të kërkojë një trashëgimtar ideal për Lionel Messin, që verën e ardhshme nuk do të mund ta pengojë kush për t’u larguar nga “blaugranat”.