Bota Macron emëron Attal si kryeministrin e ri të Francës, 34-vjeçari thyen një...

Macron emëron Attal si kryeministrin e ri të Francës, 34-vjeçari thyen një rekord në historinë franceze

Gabriel Attal dhe Macron

Një ditë më parë kryeministrja e Francës, Élisabeth Borne njoftoi dorëheqjen nga posti i saj, ndërsa ditën e sotme është emëruar pasardhësi i saj, Gabriel Attal.

Emmanuel Macron ka emëruar ministrin 34-vjeçar të Arsimit, në krye të qeverisë, i cili pritet t’i japë një frymë të re mandatit të tij të dytë përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian.

Në moshën 34-vjeçare, Attal është kryeministri më i ri në historinë moderne franceze, duke kaluar edhe socialistin Laurent Fabius, i cili ishte 37 vjeç kur u emërua nga François Mitterrand në 1984.

Lëvizja nuk do të çojë domosdoshmërisht në ndonjë ndryshim të madh politik, por sinjalizon një dëshirë që Macron po përpiqet të lëvizë përtej reformave jopopullore të pensioneve dhe imigracionit të vitit të kaluar dhe të përmirësojë shanset e partisë së tij qendrore në votimin e qershorit në Bashkimin Evropian.

Partia nacionaliste e krahut të djathtë ”Rassemblement National” e Marine Le Pen duket se do të bëjë më mirë se partia ”Rilindja” e Macron në zgjedhjet evropiane në qershor.

Me Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike në Paris këtë verë, Franca gjithashtu përballet me një sfidë organizative – në një moment në të cilin vendi dëshiron të shfaqet i bashkuar dhe i aftë për veprim vendimtar.