Aktualitet Makina me armë u kap në Bari, arrestohet punonjësi i Policisë Kufitare...

Makina me armë u kap në Bari, arrestohet punonjësi i Policisë Kufitare në Portin e Durrësit

Një punonjës i Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, 37-vjeçari me iniciale B.XH. është arrestuar ditën e sotme.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Taulant Balla përmes një postimi në “Facebook”.

Ministri Balla shkruan se polici është vënë në pranga pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale “shpërdorimi i detyrës”.

“Vijon procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit. Falë hetimit të Agjensisë së Mbikqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës është arrestuar një punonjës i Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.

Nga hetimet e kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, u dokumentua me prova se punonjësi i policisë me detyrë Kontrollor ka shmangur në mënyrë të qëllimshme kontrollin e mjetit tip “Bizarke” me drejtues 45-vjeçarin me iniciale E. U., i cili ka udhëtuar me linjën Durrës-Bari dhe sapo ka zbritur në Bari, gjatë kontrollit i janë gjetur 2 armë zjarri të tipit pistoletë.

Balla shkruan se bashkëpunimi mes Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Posaçme do të kontribuojë në realizimin të procesit të vetëpastrimit dhe në rritjen e llogaridhënies dhe të besueshmërisë së Policisë së Shtetit.

“Bashkëpunimi edhe më i ngushtë i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Posaçme, sa i përket shkëmbimit të informacioneve lidhur me përfshirjen e mundshme të punonjësve të policisë në veprimtari të paligjshme, do të kontribuojë ndjeshëm në realizimin me sukses të procesit të vetëpastrimit dhe, mbi të gjitha, në rritjen e llogaridhënies dhe të besueshmërisë së organizatës së Policisë së Shtetit, si institucion kyç për garantimin e rendit dhe sigurisë në vend, ku besimi dhe bashkëpunimi me institucionet e tjera dhe publikun përbëjnë kusht themelor”, shkruan Balla.