Bota Më shumë se 100 viktima prej vetëtimave

Më shumë se 100 viktima prej vetëtimave

Të paktën 107 persona kanë humbur jetën si pasojë e goditjeve të vetëtimave në Indinë veriore dhe lindore ditët e fundit si pasojë e sezonit vjetor të shirave. 83 prej viktimave ishin nga shteti lindor i Biharit, ndërsa 24 të tjerë nga Uttar Pradesh.

Autoritetet kanë deklaruar se dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur. Goditjet me vetëtima janë të zakonshme gjatë sezonit të shirave në Indi. Kjo periudhë zgjat zakonisht nga Qershori deri në Shtator. Por ministri për Menaxhimin e Katastrofave në Bihar, Lakshmeshwar Rei, tha se kjo është shifra më e lartë e vdekjeve që ka regjistruar rajoni në vitet e fundit.

Ai paralajmëroi që numri i viktimave pritet të jetë më i lartë pasi do të raportojnë edhe zonat qendrore të rajonit. Shira të fuqishëm pritet që të godasin zonën e Biharit të premten dhe të shtunën.

Në vitin 2018, më shumë se 2.300 persona humbën jetën si pasojë e vetëtimave në Indi. Sezoni i shirave është shumë i domosdoshëm në Azinë e Jugut për shkak të furnizimit me ujë, por ndërkohë shkakton viktima dhe shkatërrim përgjatë rajonit çdo vit.