Kryesore “Mercenarë shqiptarë në Ukrainë”, Majko nxjerr hartën që përgënjeshtron Lavrovin

“Mercenarë shqiptarë në Ukrainë”, Majko nxjerr hartën që përgënjeshtron Lavrovin

Ish-ministri i Mbrojtjes, i Shqipërisë, Pandeli Majko ka reaguar pas deklaratës së papritur të ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov i cili tha se mercenarë nga Shqipëria dhe Kosova po dërgohen në zonën e Donbasit në Ukrainë për të nxjerrë jashtë ekuilibri Rusinë.

Majko e ka cilësuar këtë një deklaratë të paprecedentë. Ai ka publikuar edhe një lajm ku përcaktohen përkatësitë nacionale të vullnetarëve që kanë shkuar për të ndihmuar Ukrainën, pjesë e të cilëve nuk është as Shqipëria dhe as Kosova.

“Sergei Lavrov, Ministri i Jashtëm i Federatës Ruse ka bërë sot një deklarim të paprecedentë për “mercenarë” shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova të cilët po dërgohen në zonën e Donbasit në Ukrainë.

Përpara se Ambasada e Federatës Ruse në Tiranë të japë shpjegime (në se do ta bëjë)… Kanali Televiziv WION i Indisë ka bërë një kronikë të veçantë për “hartën” e përkatësisë nacionale të vullnetarëve që kanë shkuar për të ndihmuar Ukrainën”, shkruan Majko.

Sipas reportazhit të shpërndarë nga Majko, të realizuar këtë vit, në Ukrainë, për të mbështetur separatistët janë rreth 17 mijë luftëtarë nga shtete të ndryshme.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, pretendon se mercenarë nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina po rekrutohen për t’u dërguar në Donbas, krahinën e Ukrainës të ndarë mes qeverisë së Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Moska.