Sport Meta vlerëson me titullin ”Mjeshtër i Madh” disa prej legjendave të KF...

Meta vlerëson me titullin ”Mjeshtër i Madh” disa prej legjendave të KF Tiranës

Ilir Meta ka organizuar sot në Presidencë një ceremoni solemne për vlerësimin me titull ”Mjeshtër i Madh” të disa ish-futbollistëve të spikatur të KF Tiranës.

Bëhet fjalë për emra të njohur të klubit kryeqytetas si Osman Mema, Bedri Omuri, Millan Baçi, Edmond Dizdari, Mirel Josa, Artur Lekbello e Krenar Alimehmeti.

Meta ka shprehur konsideratat më të larta për ish-futbollistët duke kujtuar se i ka ndjekur vetë dhe përkrahur në shkallët e stadiumit si tifoz, madje për pak kohë edhe si komentator.

”Kam nderin të vlerësoj disa nga futbollistët, që me shumë dashuri kujtohen. Nderojmë sot Osman Memën me Mjeshtër i Madh, nga familja që ndër vite ka nxjerrë futbollistë cilësorë. Osman Mema ka qenë një mbrojtës i shkëlqyer, vlerave sportive, qytetare e demokratike.

Vlerësojmë Bedri Omurin, lojtar profesionist i klasit të lartë, nga mbrojtja në golashënues befasues.

Të palodhurin, mbretin e krahut të djathtë, Millan Baçin. Golashënuesin e spikatur, mësuesin, trajnerin, Edmond Dizdarin.

Futbollistin e talentuar, lojtarin korrekt, Mirel Josa. Edhe sot e kujtojmë golin e tij me Belgjikën e Madhe. Lojtari me kontribute të çmuar Artur Lekbellon. Apo siç i kemi thënë Tushen, sepse unë e kam ndjekur që në ndeshjen e parë me të rinjtë ndaj Qipros, pasi Çimi vellai i tij ishte shok klase me mua. I uroj sa më shumë shëndet.

Mbrojtësin, kapitenin e jashtëzakonshëm Krenar Alimehmetin. Histori e rëndësishme dhe unë kam patur kënaqësinë t’i përkrah në shkallët e stadiumit. Madje edhe pak kohë komentator. Iu drejtohem juve në sukseset e arritura, dhe tek fëmijët që duan në fushën e blertë për të kultivuar dëshirën.

Përshëndes trajnerët e Tiranës, që kanë kontribuar në rezultatet që nga Selman Stërmasi e deri tek Alban Tafaj e shumë emra të shquar e të mëdhen. Suksesi i tyre erdhi me talent e punë. Për ngjyrat e ekipit, ngjyrat kuqezi. Sporti nuk është vetëm aktivitet individual, por edhe i madh shoqëror. Forcon shëndetin, dhe kur arrin rezultate si ato tuajat krenon gjithë vendin”- tha Meta.