Politika Motra e Nuredin Dumanit me certifikatë sigurie/ Deklaratë sqaruese nga Ministria e...

Motra e Nuredin Dumanit me certifikatë sigurie/ Deklaratë sqaruese nga Ministria e Jashtme

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme del me deklaratë lidhur me raportimin në media për punësimin në këtë ministri dhe pajisjen me certifikatë sigurie të motrës së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, Xhuljana Dumani.

Nisur nga interesimi që natyrshëm ka ngjallur ky rast, por edhe nga nevoja për të korrigjuar disa pasaktësi në raportimet mediatike, MEPJ sqaron se:

Znj. Xhuljana Dumani, është përzgjedhur për të kryer praktikën 3-mujore në MEPJ. (thirrja VI, Programi Kombetar i Praktikave të Punës, të Ministrisë së Arsimit, në zbatim te VKM nr. 395, datë 29.04.2015, “Për miratimin e programit kombëtar të praktikave të punës në administratën shtetërore dhe institucionet e tjera publike” e ndryshuar.)

Ministria sqaron se emri i znj. Xhuljana Dumani ka qenë pjesë e listës që kanë aplikuar për këtë program sjellë në MEPJ nga Ministria e Arsimit.

Më tej nënvizohet se pas marrjes së listës, ngrihet një komision që bën përzgjedhjen e studentëve, bazuar në metodologjinë e përcaktuar në VKM përkatëse dhe më tej, bazuar tek buxheti dhe kërkesat e drejtorive përkatëse të MEPJ, përzgjidhen një numër i caktuar studentësh, për të cilët lidhen kontratat e punës me afat të caktuar 1 vjeçar dhe se emrat e praktikantëve sugjerohen nga drejtoritë përkatëse ku ata kanë kryer praktikat e punës.

Pra, znj. Xhuljana Dumani ka hyrë në MEPJ si pjesë e një programi, ku përzgjedhja bazohet vetëm në rezultatet e studentëve dhe që synon krijimin e hapësirave për studentët më të mirë në administratën publike.

“Znj. Xhuljana Dumani e ka kryer praktikën në gusht 2021 dhe në përfundim të praktikës, për shkak të vlerësimit të performancës së saj nga drejtoria, është lidhur kontrata e punës me afat të paracaktuar 1 vjeçar deri ne 31.12.2022, si specialiste në Drejtorinë e Shërbimeve të Brendshme, Sektori i Shërbimeve. Znj. Xhuljana Dumani nuk ka qenë për asnjë moment e punësuar në Kabinetin e MEPJ.

Për punësimin e znj. Xhuljana Dumani është kërkuar sipas ligjit, dëshmia e penalitetit nga autoritetet përkatëse e cila ka rezultuar e pastër. Në përputhje me ligjin, ashtu si për çdo punonjës tjetër të MEPJ, edhe për znj. Xhuljana Dumani është kërkuar certifikata e sigurisë nga DSIK.

Kjo certifikatë është, pas dëshmisë së penalitetit, një tjetër filtër nëpër të cilin kalon çdo punonjës i MEPJ.

Duam të sigurojmë publikun por edhe mediat e interesuara, që në asnjë moment zonja në fjalë nuk ka pasur akses në informacion të klasifikuar e aq më pak në informacion të klasifikuar të NATO. Informacionet e klasifikuara në MEPJ trajtohen me rregulla e procedura të posaçme dhe vetëm një numër i kufizuar punonjësish kanë akses në to.“