Sport Nations League/ Manaj dhe Bare: Duhet të marrim 6 pikë në dy...

Nations League/ Manaj dhe Bare: Duhet të marrim 6 pikë në dy sfidat e radhës

Manaj: Duhet të jap më shumë, kombëtarja, niveli më i lartë i futbollit. Bare: Trajneri vendos kush luan, me Lituaninë nuk dhamë maksimumin!

Në këtë grumbullim të tetorit për ndeshjet e Nations League ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë, Rey Manaj është shndërruar papritur në sulmuesin me më shumë eksperiencë nga ata që ka grumbulluar Reja, për shkak se mungojnë emra të tillë si Cikalleshi, Sadiku e Balaj. I pranishëm në konferencën për shtyp të kësaj të mërkure, Manaj e pranoi se ka më shumë përgjegjësi mbi vete dhe se do të bëjë maksimumin që Shqipëria të marrë rezultate pozitive në këto dy sfida.

“Kemi përpara dy ndeshje të rëndësishme. Me Lituaninë nuk ishim maksimum. Kishim arritur një ekuilibër dhe duhet t’i fitojmë këtë ndeshje. Duhet të futemi në fushë të përqendruar dhe me vetëbesim te kualiteti ynë. Synimi është fitorja”, tha Manaj fillimisht.

“Formacioni caktohet nga trajneri. Uroj të jenë të gjithë sulmuesit. Nuk ka rëndësi kush luan nga fillimi apo pastaj. Sa më shumë të jenë aq më mirë është. Konkurrenca ndikon për mirë për ne”, shtoi sulmuesi.

“Në kombëtare të gjithë duhet të marrin një përgjegjësi që nuk e kanë në klube. Ky është niveli më i lartë i futbollit. Personalisht duhet të jap edhe më shumë. Shpresoj të bëjmë sa më mirë në ndeshjet e ardhshme”.

Bare: Trajneri vendos kush luan

Keidi Bare ishte i pranishëm në konferencën për shtyp të kombëtares shqiptare sëbashku me Rey Manajn. Ashtu si sulmuesi edhe mesfushori i Espanyol Keidi Bare theksoi se Shqipëria duhet të marrë pikë të plota në dy sfidat e radhës në Nations League.

“Nuk kam çfarë flas me trajnerin, ai vendos çfarë bëjmë në çdo ndeshje dhe stërvitje. Me Lituaninë nuk dhamë maksimumin, ishim të shpërqendruar. Besoj se në dy ndeshjet në vijim do paraqitemi mirë dhe të fitojmë”.

“Këtu jemi të gjithë njësoj. Trajneri vendos kush luan. Nuk do të thotë gjë fakti që kam ndryshuar klub. Jam një lojtar më shumë për kombëtaren. Le të mendojmë për sfidën me Kazakistanin. Fusha do tregojë gjithçka”, u shpreh Bare.