Aktualitet Në gjyq spiuni iranian, “Hija” erdhi në Shqipëri për të përgjuar muxhahedinët

Në gjyq spiuni iranian, “Hija” erdhi në Shqipëri për të përgjuar muxhahedinët

Godina e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)

Një shtetas iranian i akuzuar për kryerje spiunazhi në Shqipëri është dërguar në gjyq nga SPAK.

Burimet zyrtare thanë se grupi i hetimit ka përfunduar veprimet dhe ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme, dosjen penale ndaj shtetasit nga Irani, Bijan Pooladrag, i arrestuar në vitin 2020 në Tiranë.

Në përfundim të hetimeve të këtij procedimi penal është dërguar për gjykim ndërsa i pandehuri nga Irani pasi akuzohet se ka konsumuar elementet e veprave penale, “Kryerja e sherbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”, “Organizata Terroriste”, “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.

Sipas hetimeve, i akuzuari ka mbërritur në Shqipëri me qëllim për të mbledhur informacion në lidhje me muxhahedinët e strehuar në Shqipëri të cilët prej vitesh në zonën e Manzës. Atëherë policia u tregua e rezervuar në informacion por sipas detajeve zyrtare thuhej se ai kryente komunikime nëpërmjet një aplikacioni mesazhimi në rrjet, të cilin e përdorte duke e lidhur me numrat e telefonave celular të shtetasve të tjerë.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr.196 të vitit 2019, për veprat penale “Vepra me qëllime Terroriste”, “Organizata Terroriste”, “Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj” dhe “Organizimi për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj”, të parashikuara nga nenet 230/a,  234/a , 265/a  dhe 265/b  të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve të këtij procedimi penal është dërguar për gjykim i pandehuri Bijan Pooladrag (shtetas nga Irani), pasi akuzohet se ka konsumuar elementet e veprave penale, “Kryerja e sherbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”, “Organizata Terroriste”, “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, “Keqpërdorimi i pajisjeve”, parashikuar nga nenet  230/ç ,234/a/2, 293/a/1, 293/b/1, 293/c/1 dhe 293/ç të Kodit Penal.