Aktualitet Nga Brilant Martinaj te Shpati Lena: Arsyeja pse vrasjet e bujshme kryhen...

Nga Brilant Martinaj te Shpati Lena: Arsyeja pse vrasjet e bujshme kryhen në rrugë nacionale

Dy të rinj të moshave 34 dhe 37-vjeçarë mbetën të vrarë paraditen e kësaj të enjte gjatë një atentati mafioz në Vlorë.

Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, të vrarë në atentat këtë të enjte u qëlluan me breshëri automatiku nga një makinë në lëvizje në dalje të fshatit Panaja, ku dyshohet se kanë qenë të paktën 3 autorë.

Policia beson se dy viktimat të cilët ishin duke lëvizur me këtë makinë tip “Benz” në aksin rrugor Fier-Vlorë, janë qëlluar fillimisht në krahun e shoferit dhe më pas në xhamin e parmë të mjetit.

Të shtënat kanë zgjatur disa metra dhe makina më pas ka përfunduar në kanal.

Autorët janë larguar për në aksin rrugor Levan – Tepelenë dhe në këtë rrugicë të fshatit Çerven, e mbuluar me bimësi dhe pa kamera të sigurisë, kanë djegur makinën tip “BMW” me targa të huaja dhe brenda saj edhe 3 automatikë, që dyshohet të jenë përdorur në ngjarje.

Për hetuesit ngjarja është e mirëmenduar.

Ekzekutimi i Shpëtim Lenës dhe Haki Xhezos, duket sikur është bërë nga e njëjta “dorë” ose më saktë është përdorur e njëjta skemë, përgjim, ndjekje dhe në fund goditja.

I njëjtë si ekzekutimi i sotëm ishte dhe ai i 17 Korrikut në Fushë-Krujë ku u ekzekutuan ndërsa ecnin me makinë në rrugë tre të rinjtë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.

Po ashtu edhe prita që ju bë të “famshmit” Nuredin Dumani në Papër të Elbasanit, ishte sërish në rrugë, por ky i fundit arriti tu mbijetojë plagëve të marra dhe sot është një “pentito” i drejtësisë.

Po pse vrasjet ndodhin në shumicën e rasteve në rrugët nacionale?

Mesa duket autorët i planifikojnë mirë dhe me saktësi të gjitha veprimet e tyre. Arsyeja pse ata zgjedhin në shumicën e rasteve që ekzekutimet t’i bëjnë në rrugë nacionale, është se aty nuk ka kamera vëzhgimi, nuk ka prani të policisë, si dhe kanë me dhjetëra mundësi arratisjeje nëpër rrugët dytësore.

Ajo që na kanë mësuar historitë e ekzekutimeve përfshirë edhe këtë të fundit është vetëm një gjë, që ekzekutorët përdorin gjithnjë dy rrugë, e para është itinerari që bën viktima e tyre, dhe e dyta rruga ku ata i presin bashkëpunëtorët, vendi ku bëhet dhe ndërrimi i mjetit, pasi makina që u përdor për kryerjen e vrasjes digjet, dhe mjeti tjetër që është ai i arratisjes.