Kryesore Ngacmoi seksualisht dy nxënëse 14-vjeçare, arrestohet drejtori i një shkolle në Pogradec

Ngacmoi seksualisht dy nxënëse 14-vjeçare, arrestohet drejtori i një shkolle në Pogradec

Adriatik Haxhillari, 59 vjeç, drejtor në shkollën 9-vjeçare të fshatit Stropckë në Pogradec, është vënë në prangat e policisë, pasi akuzohet se ka ngacmuar seksualisht dy nxënëse 14-vjeçare.

Sipas informacioneve, ngacmimi ndaj minoreneve ka filluar dy javë më parë.

Ka qenë policia e Pogradecit ajo që në bazë të informacioneve ka mundur të zbërthejë në prani të psikologeve dy vajzat e mitura të cilat kanë pranuar se drejtori u ka bërë shenja gjatë mësimit. Po ashtu, ai u ka dërguar mesazhe ngacmuese në orët e natës.

Vajzat e mitura nuk kanë treguar në familje dhe as kanë denoncuar, por policia ka mundur t’i bindë për të treguar se çfarë kishte ndodhur. Pritet që autori të dalë para gjykatës ditët në vijim për të marrë masën e sigurisë për veprën penale “ngacmimi seksual”.

Ndërkohë mësohet se drejtori është pezulluar nga puna.

Sipas burimeve nga grupi hetimor mësohet se mesazhet e para janë parë nga vëllai i njërës prej vajzave, e cila i kishte prindërit në Greqi. Më pas i vëllai i ka shkuar të takojë drejtorin e shkollës dhe e ka goditur me grusht.

Të nesërmen drejtori e ka thirrur për t’i kërkuar ndjesë. Drejtori i shkollës i ngacmonte vajzat në klasë duke iu bërë shenja si dhe ngacmime në oborr të shkollës.

Vajzat nuk e kanë pasur të regjistruar numrin e drejtorit të shkollës me emër dhe kjo është në verifikim nga policia, por para psikologut të miturat kanë thënë se mesazhet ngacmuese i dërgonte drejtori i shkollës. Koha e ngacmimeve ka zgjatur 3 javë deri në 1 muaj.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Ngacmimi seksual”, të shtetasit A. H., 59 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht dy 14-vjeçare”, tha Policia në një njoftim zyrtar për ngjarjen.