Aktualitet Ngarkesa me 400 kg kokainë nga Durrësi, policia e Kosovës jep detaje:...

Ngarkesa me 400 kg kokainë nga Durrësi, policia e Kosovës jep detaje: Vlen rreth 20 milionë euro

Policia e Kosovës ka dalë në një deklaratë zyrtare lidhur me ngarkesën e madhe të kokainës që është sekuestruar këtë të hënë. Nëpërmjet një konference për shtyp, ku ishte pjesë prokuroria e Kosovës dhe SPAK, policia dha detaje mbi këtë operacion që zanafillën duket se e ka nga Brazili.

Drejtori i këtij institucioni ka thënë se informacionet kanë ardhur në burime zyrtare disa ditë më parë dhe ngarkesa është mbajtur nën vëzhgim. Po ashtu është njoftuar se janë arrestuar 7 persona dhe sasia e kokainës së sekuestruar është 400 kilogram.

“Substanca ishte e paketuar në pako të ngjashme të mishit. Deri tani janë arrestuar 7 persona, shtetas të policisë së Kosovës. Janë sekuestruar 400 kilogramë kokainë, makina të ndryshme që janë gjetur në depo. Personave të arrestuar, në konsultim me prokurorinë kompetent u është caktuar masa e ndalimit deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore. Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës është në kërkim edhe të disa personave të tjerë të dyshuar tashmë të njohur për Policinë dhe që dyshohet se kanë qenë pjesë e këtij grupi kriminal”, tha drejtori i policisë së Kosovës.

Sakaq, kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi tha se ky kontingjent kokaine me vlerë rreth 20 milionë euro, ndërsa dyshohet se ka ardhur nga Brazili, ka kaluar nëpërmjet Italisë në Shqipëri e më pas edhe në Kosovë, ndërsa hetimet vazhdojnë në të trija vendet.

“Ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe autoritetet italiane dhe ato të Shqipërisë, janë ndërmarrë masa dhe veprime që kanë rezultuar me konfiskimin e 400 kg kokainë, vlera e së cilës është rreth 20 milionë euro dhe janë sekuestruar sasi e parave, veturave dhe gjësendeve të tjera, të cilat do të përdoren në procedurat e radhës. Dëshiroj të them se gjatë fazës së hetimeve janë përdorur masa të fshehta, ku kemi përcjellë lëvizjen e kësaj ngarkese, nga Brazili në Itali, pastaj në Durrës dhe deri në arritjen e destinacionit, pra në Republikën e Kosovës”, tha Lumezi.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë, Arben Kraja, u shpreh se SPAK është përfshirë në hetimin e këtij rasti që në momentet e para që kanë ardhur informacione nga autoritetet e huaja.

“SPAK ka qenë e përfshirë në hetimin e këtij rasti që në momentet e para që ka ardhur informacioni nga autoritetet e huaja. Dua të them se ka dy momente që duhen vlerësuar. E para është që organizatat kriminale siç e shihni ushtrojnë aktivitetin në një territor shumë të gjerë, nga Brazili deri në Kosovë, duke kaluar në shumë territore dhe kjo tregon se kanë arritur shkallët e rrezikshmërisë së tyre, por nga ana tjetër reagimi që bënë institucionet tona, tregon se nëse do jemi të gjithë bashkë pa diskutim do jemi të suksesshëm. Bllokimi i një sasie të tillë prej rreth 400 kg kokaine tregon se efektiviteti i gjithë strukturave tona ishte në lartësinë e duhur. Jemi të vendosur të luftojmë rastet e tilla deri në fund. Ky është një mesazh për të gjithë ata që ju shkon mendja të merren me aktivitete të tilla kriminale”, tha Kraja.