Aktualitet Nisin fluturimet e pasagjerëve nga Rinasi

Nisin fluturimet e pasagjerëve nga Rinasi

Aeroporti i Rinasit ka filluar sërish fluturimet, pas bllokimit që shkaktoi pezullimi i punës së 60 kontrollorëve të trafikut ajror.

Prej mëngjesit të sotëm kanë nisur edhe fluturimet e pasagjerëve ndërsa një ditë më parë filluan udhëtimet e domosdoshme siç janë ato humanitare, emergjente, shëndetësore, diplomatike, shtetërore dhe ushtarake.

Për rinisjen e fluturimeve kanë ardhur në ndihmë kontrollorë nga Turqia, ndërsa edhe Greqia ka shprehur gatishmërinë për të dhënë kontributin e saj me specialistë.

Për zgjidhjen e situatës janë angazhuar edhe grupe të punës së koncesionarit të aeroportit.

Një ditë më parë ishin të shumtë pasagjerët që pritën me orë të tëra me shpresë që të nisin fluturimet ndërsa kërkuan edhe dëmshpërblim për pasojat që u ka krijuar vonesa.

Godina dhe perimetri i Albcontrol vazhdojnë prej mbrëmjes se të mërkurës të jenë nën mbikëqyrjen e patrullave të policisë.

Policia ka ndaluar dje tre kontrollorët shqiptarë nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.