Sport “Nuk na pëlqen ajo që bën”, në dyshim e ardhmja e Cristiano...

“Nuk na pëlqen ajo që bën”, në dyshim e ardhmja e Cristiano Ronaldos

Ende e paqartë e ardhmja e Cristiano Ronaldo. Paraditen e kësaj të enjteje menaxheri i tij Jorge Mendes ishte i pranishëm në zyrat e klubit të Juventus i thirrur në takim nga drejtuesit kryesor për të qartësuar situatën e futbollistit.

Është çështja më e nxehtë e momentit në merkaton e verës dhe asgjë nuk i duhej lënë rastësisë apo nënkuptimeve.

Mediat italiane raportojnë se takimi ka zgjatur rreth 1 orë e gjysmë dhe nuk ka prodhuar asnjë rezultat domethënës. Mendes ka referuar mbi interesimin e Manchester City dhe PSG, edhe pse nuk ka pasur shifra apo oferta konkrete prej tyre.

Nga ana tjetër pala italiane kërkon që të mbyllë sa më shpejt këtë çështje: ose Ronaldo do të qëndrojë me të njëjtat kushte ose të largohet pasi Juve të jetë paguar për kartonin e tij në shumën 28 – 30 milionë Euro.

“Nuk na pëlqen ajo që bën”

Takimi i zhvilluar mes Jorge Mendes dhe Juventusit ka qenë me nerva të tendosura dhe tone jo të buta.

Ky është lajmi i dhënë nga Tuttosport, që ka bërë një përmbledhje të takimit të zhvilluar sot mes palëve.

Në takimin e kërkuar nga klubi bardhezi, Nedved, Arrivabene dhe Cherubini i kanë shpjeguar menaxherit se e ardhmja e Cristiano Ronaldo-s nuk mund të jetë e pavarur nga vullneti i klubit.

Mbledhja, sipas së përditshmes italiane, nuk ka patur tone të buta: “Nuk na pëlqen loja që bën”, mësohet t’i kenë thënë drejtuesit e Zonjës së Vjetër menaxherit të CR7.

Koha është e shkurtër dhe kampionati ka nisur kështu që zyrtarët e klubit bardhezi duhet të sigurojnë trajnerin Allegri për grupin e futbollistëve që do të ketë në dispozicion për gjithë sezonin.

Mësohet se Cristiano Ronaldo është parashikuar që të zbresë në fushë me Juven që nga minuta e parë në ndeshjen ndaj Empolit e parashikuar për këtë të shtunë.

Paga stratosferike e Ronaldos te Man. City

Cristiano Ronaldo është në pritje të dritës jeshile për transferimin e tij te Manchester City, ndërsa mediat angleze zbulojnë se portugezi pritet të bëhet futbollisti më i paguar i skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola.

Plot 510 mijë paundë në javë janë treguar të gatshëm të paguajnë “citizens” për shërbimet e portugezit, një shifër kjo rreth 125 mijë paundë më e lartë se e belgut Kevin De Bruyne, i cili është aktualisht më i paguari në “Etihad Stadium”.

E ndërkohë që vijojnë negociatat për kompletimin e transferimit, te Manchester City i druhen rebelimit të një pjese të mirë të yjeve të skuadrës, që me ardhjen e Ronaldos me një pagë të tillë, do të kërkojnë gjithashtu rritje të rrogës, duke kërcënuar me largim.

Lista e “rebelëve” mund të jetë vërtetë e madhe, pasi përveç De Bruyne me 385 mijë paundë në javë dhe Sterling me 300 mijë paundë në javë, një pjesë e mirë e titullarëve paguhen nga 10 deri në 40% e pagës që i është premtuar Ronaldos.