Aktualitet “Nuredini më premtoi 60 mijë euro, më dha 35”- I penduari i...

“Nuredini më premtoi 60 mijë euro, më dha 35”- I penduari i drejtësisë zbërthen katër vrasjet në Durrës

Në foto viktimat Viktor dhe Besmir Haxhia dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Henrik Hoxhaj

I penduari i drejtësisë Henrik Hoxha është rikthyer në Gjykatën e Posaçme këtë herë për të dëshmuar rreth dy atentate me 4 viktima të ndodhura në Durrës, përkatësisht Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt dhe vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia.

“Me Nuredin Dumanin jam njohur në ditëlindjen e Festim Çolit, rreth 6 muaj para vrasjes së Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt. Aty shkëmbyem numrat e telefonit, dhe kemi folur e takuar. Dumani premtoi 60 mijë euro, nga të cilat më ka dhënë 35 mijë, sepse pjesën tjetër i mori Elio Bitri. Ky i fundit ka qenë në timon, unë te sedilja e pasme e pasagjerit. Kam pasur dy pistoleta 9 mm, ndërsa Bitri një pistoletë me mulli. Objektivi sipas Dumanit ishte Dorian Shkoza, madje ky i ka dalë para Avdylajt për ta mbrojtur kur kemi qëlluar. Me Bitrin s’kam pasur komunikim, kur vajta te shtëpia e Nuredinit, e kam gjetur aty dhe jemi nisur drejt vendit të ngjarjes. Dumani s’ishte me ne, por vinte rrotull. Kam qëlluar me të dyja armë, edhe Bitri qëlloi njëherë me armën e tij, por nuk e di nëse ka kapur plumbi ndonjërin nga viktimat. Para ngjarjes madje, në shtëpinë e Dumanit, Elio qëlloi, na tha se ishte shkrepje e pavullnetshme. Elio kishte një javë që qëndronte në shtëpinë e Dumanit para atentatit. Me Dumanin, pasi më dha pagesën, jam takuar në për planin e vrasjes së Besmir Haxhias”, tha Hoxha.

Sa i përket vrasjes së vëllezërve Haxhia, Henrik Hoxha rrëfeu:

“Objektiv ishte Besmiri, kur u afruam i pamë të dy, dhe Nuredini me Klevis Allën, i thanë njëri-tjetrit, qenka me vëllain. Viktori ishte rastësi. Dëgjova më pas se kishin plan tjetër edhe për atë por jo atë ditë. Sipas Nuredinit, Klevis Alla do na njoftonte, vrasjen do e bënim ne. Alla na priste me makinën. Mbaja veshur një jelek të OFL dhe kapele  OFL, Nuredini më tha se i kishte gjetur në Elbasan. Kisha dy armë automatike në makinë, njërën në dorë tjetrën në xhepin e derës. Shoferi ynë u fut në parakalim kur i pamë vëllezërit, dhe nisa të qëlloj. Nuredinit s’po i shkrepte arma. Kam goditur me xhama mbyllur, Nuredinin se kam parë ç’ka bërë se nuk e kisha mendjen. Kam qëlluar edhe nga xhami i pasmë, shoferin e mjetit, Besmirin. Kam zbritur dhe mora armën tjetër se më mbaruan plumbat dhe qëllova sërish për tu siguruar. Me Klevis Allën që ishte shoferi ynë nuk kam folur asnjë fjalë. Madje teksa më shikonte në fytyrë një moment i kam thënë “ç’ke që sheh, kthehu para”. Kapelet dhe jelekun i hodhëm rrugës dytësore në Vorë kur po ktheheshim në Tiranë me Nuredinin”.

Hoxha identifikoi në seancë edhe Besian Xhixhon që ndodhej në kafazin e qelqtë duke thënë se e ka njohur në Shëngjin.

“Dumani më ka thënë se kishte siguruar eksplozivin me të cilin shpërthyen banesën e Talo Çelos. Talon as s’e kam takuar as njohur nga afër. Nuredini më thërriste “kusho”, asnjëherë me emër. Altin Ndocin ma ka treguar Dumani me foto, s’e kam takuar as parë. Dumani e ka vëzhguar gjatë pandemisë disa ditë, por nuk e vrau dot. Për vrasjen e vëllezërve Haxhiu, Dumani më dha 30 mijë euro. Kur i thash pse kaq pak, më tha “kusho, e kam hall personal, po ta kërkoj si nder”. Gjatë bisedave dëgjova prej tij se donte t’i vriste për llogari të tij, por që me paratë e ndihmonte Erion Alibej. Alibej dyshonte se Ndoci dhe Besmiri kishin qenë të përfshirë në vrasjen e trefishtë në Bradashesh, ku vdiqën vëllai dhe xhaxhai i Alibejt dhe një shtetas turk”.

Deklarimet mes Klevis Allës i cili ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe dy bashkëpunëtorëve të tjerë, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj, kanë përplasje dhe kontradikta midis tyre sa i takon 2 ngjarjeve kriminale, për personat që kanë marrë pjesë, por edhe mënyra e ekzekutimit të tyre.

Seanca e sotme ndaj 4 të pandehurve Altin Ndocit, Klevis Allës, Besian Xhixhës e Enver Divës u shty. Shkak u bë kërkesa e avokatëve të Divës dhe Xhixhës. Ata kërkuan kohë sepse duan që të krahasojnë dëshminë e Henrik Hoxhajt të dhënë ditën e sotme përballë gjykatës me atë që ka dhënë në prokurori.