Politika Otava kërkon të rrisë rolin në arenën ndërkombëtare, ministrja e Jashtme e...

Otava kërkon të rrisë rolin në arenën ndërkombëtare, ministrja e Jashtme e Kanadasë vizitë nesër në Tiranë

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, do të presë nesër në vizitë zyrtare homologen kanadeze, Melanie Joly.

Vizita e Ministres së Jashtme kanadeze në Shqipëri vjen si pjesë e turit të saj në Europë, që përfshin Slloveninë, Maqedoninë e Veriut dhe vendin tonë.

Kjo është vizita e dytë e një ministri të Jashtëm kanadez në Tiranë, në harkun kohor prej 9 vitesh.

Sipas njoftimit zyrtar nga zyra e shtypit të Ministrisë së Jashtme, vizita e Ministres Mélanie Joly në Shqipëri dëshmon për intensifikimin e shkëmbimeve dhe dialogut politik të nivelit të lartë ndërmjet dy vendeve.

“Marrëdhëniet politike dhe diplomatike Shqipëri-Kanada janë zhvilluar akoma më shumë gjatë këtyre viteve, me ndikim të drejtpërdrejtë në fuqizimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të ndërsjellë. Të dy vendet ndajnë vlera të përbashkëta dhe si aleate në NATO janë të angazhuara për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ministrja e Punëve të Jashtme e viziton Shqipërinë në një kohë kur roli dhe kontributi i Kanadasë në arenën ndërkombëtare është rritur ndjeshëm, ku spikat roli aktiv i Ministres Joly, dhe kur vendi ynë prej më shumë se një viti e gjysmë shërben si vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB dhe gjatë muajit shtator do të ketë Presidencën e radhës të KS.