Aktualitet Pamje të pazakonta në Tiranë, kishte futur fëmijën në bagazh, e pëson...

Pamje të pazakonta në Tiranë, kishte futur fëmijën në bagazh, e pëson keq shoferi (VIDEO)

Një situatë aspak e zakontë është shënuar në Tiranë, ku një drejtues automjeti është filmuar nga oficerët e policisë rrugore teksa mbante fëmijën në bagazh.

Siç shihet edhe nga pamjet e policisë, në një automjet tip “Opel Corsa”, një i mitur qëndron në pjesën e pasme të mjetit, sipër bagazhit.

Për këtë rast, rrugorja ka dënuar me gjobë 15 mijë lekë të rinj, i ka hequr tre pikë dhe i ka bllokuar lejen e drejtimit për 6 muaj shoferit të papërgjegjshëm.

Policia bën thirrje se kushdo që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit, të parashikuara për pasagjerët deri në 12 vjeç, ndëshkohet me masë administrative nga 5000 deri në 15000 lekë të rinj.

“Tiranë, për të krijuar një mjedis sa më të sigurtë për të gjithë përdoruesit e rrugës, Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë është angazhuar maksimalisht për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve, që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Si rezultat i kontrolleve janë evidentuar dhe goditur raste të mbajtjes në automjet, të fëmijëve nën moshën 12 vjeç, pa sistemet e fiksimit. Kushdo që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit, të parashikuara për pasagjerët deri në 12 vjeç, ndëshkohet me masë administrative nga 5000 deri në 15000 lekë të rinj.

Përgjegjësia për këtë shkelje bie mbi drejtuesin e mjetit ose mbi atë që është ngarkuar për mbikëqyrjen e fëmijës, nëse ndodhet në automjet, në momentin e kryerjes së shkeljes. Në rast se shkelja është kryer nga drejtuesi i mjetit, përveç masës administrative, atij i vendoset edhe masa plotësuese pezullimi i lejes së drejtimit, për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj”, njoftoi Policia e Tiranës.