Bota Paralajmërimi i Biden: Putin me shpatulla pas murit, do të përdorë armët...

Paralajmërimi i Biden: Putin me shpatulla pas murit, do të përdorë armët kimike në Ukrainë

Presidenti amerikan, Joe Biden, bën paralajmërimin më të fortë deri më tani se Rusia po përgatitet të përdorë armë kimike dhe biologjike në Ukrainë. Ai tha se rezistenca ukrainase e ka vënë me shpatulla pas murit Vladimir Putin, dhe se ekzistonte rreziku që ai t’i drejtohej shpejt taktikave më mizore.

Gjatë një tryeze biznesi në Uashington, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se beson që Moska po përgatitet të fabrikojë operacione të rreme për të justifikuar përdorimin e armëve të ndaluara.

“Putin është me shpatulla pas murit. Ai nuk e kishte parashikuar unitetin tonë dhe rezistencën ukrainase dhe kjo po e shtyn drejt taktikave gjithmonë e më të egra. Ka sugjerime se Putin ka armë kimike dhe biologjike në Ukrainë dhe po konsideron t’i përdorë të dyja”, tha Biden.

Moska ka pranuar përdorimin e armëve hipersonike, kundër shënjestrave ushtarake, ndërsa pamjet e shfaqura së fundmi vërtetojnë edhe pretendimet se raketa termobarike, apo bomba vakuum janë lëshuar në Ukrainë.

Ukraina deklaron se Moska e ka rritur prezencën ajrore në 24 orët e fundit, e megjithatë avancimi i trupave është penguar nga ushtria ukrainase.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Kiev, forcat e Putinit kanë rezerva municionesh dhe ushqimesh edhe për tri ditë. Një faqe pro-Kremlinit raportoi të hënën se gati 10 mijë trupa ruse ishin vrarë në luftën në Ukrainë, por shifrat u fshinë shpejt. Më vonë, tabloidi publikoi një deklaratë, ku tha se faqja ishte hakeruar.